Bibla e Shenjtë - Albanian Bible

 

Mateu

 

Kapitulli 2

 

 

1.

 

Pasi Jezusi lindi në Bethlehem të Judesë në kohën e mbretit Herod, ja që disa dijetarë nga lindja arritën në Jeruzalem,

    
 
 

2.

 

duke thënë: ``Ku është mbreti i Judenjve, që ka lindur? Sepse pamë yllin e tij në Lindje dhe erdhëm për ta adhuruar``.

    
 
 

3.

 

Mbreti Herod, kur dëgjoi këto fjalë, u shqetësua, dhe bashkë me të mbarë Jeruzalemi.

    
 
 

4.

 

Dhe, mbasi i mblodhi të gjithë krerët e priftërinjve dhe skribët e popullit, i pyeti ku duhet të lindte Krishti.

    
 
 

5.

 

Dhe ata i thanë: ``Në Bethlehem të Judesë, sepse kështu është shkruar nëpërmjet profetit:

    
 
 

6.

 

"Dhe ti, Bethlehem, tokë në Jude, nuk je aspak më e parendësishmja ndër princat e Judesë, sepse nga ti do të dalë një udhëheqës, që do të kullotë popullin tim, Izraelin"``.

    
 
 

7.

 

Atëherë Herodi i thirri fshehurazi dijetarët, dhe i pyeti me hollësi se kur e kishin parë yllin për herë të parë.

    
 
 

8.

 

Dhe i dërgoi në Bethlehem dhe tha: ``Shkoni dhe pyesni me kujdes për fëmijën; dhe, kur ta gjeni, më njoftoni që të vij edhe unë ta adhuroj``.

    
 
 

9.

 

Dhe ata, pasi e dëgjuan mbretin, u nisën; dhe ja, ylli që kishin parë në lindje u shkonte përpara atyre derisa u ndal përmbi vendin ku ndodhej fëmija.

    
 
 

10.

 

Ata, kur e panë yllin, u gëzuan me gëzim shumë të madh.

    
 
 

11.

 

Dhe, mbasi hynë në shtëpi, panë fëmijën me Marien, nënën e tij, dhe ranë përmbys dhe e adhuruan. Pastaj hapën thesaret e tyre dhe dhuruan: ar, temjan dhe mirrë.

    
 
 

12.

 

Pasi Perëndia i udhëzoi në ëndërr që të mos ktheheshin te Herodi, ata u kthyen në vendin e tyre nga një rrugë tjetër.

    
 
 

13.

 

Tani pasi u nisën Dijetarët, ja një engjëll i Zotit iu shfaq në ëndërr Jozefit dhe i tha: ``Çohu, merr fëmijën dhe nënën e tij dhe ik në Egjipt, dhe rri aty deri sa të të lajmëroj, sepse Herodi do ta kërkojë fëmijën për ta vrarë``.

    
 
 

14.

 

Jozefi, pra, u zgjua, mori fëmijën dhe nënën e tij natën dhe iku në Egjipt.

    
 
 

15.

 

Dhe qëndroi aty deri sa vdiq Herodi, që të përmbushet ç`ishte thënë nga Zoti me anë të profetit: ``E thirra birin tim nga Egjipti``.

    
 
 

16.

 

Atëherë Herodi, duke parë se dijetarët e kishin mashtruar, u zemërua fort dhe urdhëroi të vriten të gjithë fëmijët meshkuj që ishin në Bethlehem dhe në tërë rrethinën e tij, nga dy vjeç e poshtë,

    
 
 

17.

 

Atëherë u përmbush ajo që ishte thënë nëpërmjet profetit Jeremi që thotë:

    
 
 

18.

 

``Në Ramë u dëgjua një klithmë, një vaje një qarje dhe gjëmë e madhe; Rakela vajton bijtë e saj dhe nuk pranon të ngushëllohet, sepse ata nuk janë më``.

    
 
 

19.

 

Pasi vdiq Herodi, ja një engjëll i Zotit i shfaqet në ëndërr Jozefit në Egjipt,

    
 
 

20.

 

dhe i thotë: ``Çohu, merr fëmijën dhe nënën e tij dhe shko në vendin e Izraelit, sepse ata që donin ta vrisnin fëmijën kanë vdekur``.

    
 
 

21.

 

Dhe ai u çua, mori fëmijën dhe nënën e tij dhe shkoi në vendin e Izraelit;

    
 
 

22.

 

por, kur dëgjoi se Arkelau mbretëronte në Judë në vend të Herodit, atit të tij, pati frikë të shkojë atje. Dhe, mbasi u udhëzua nga Perëndia në ëndërr, iku në krahinën e Galilesë,

    
 
 

23.

 

dhe, mbasi arriti atje, zuri vend në një qytet që quhej Nazaret, që të përmbushej ajo që ishte thënë nga profetët: ``Ai do të quhet Nazareas``.

    
 
 

Mateu 3

 

 

 

 

 
 
HTMLBible Software - by johnhurt.com