Bibla e Shenjtë - Albanian Bible

 

Luka

 

Kapitulli 19

 

 

1.

 

Pastaj Jezusi hyri në Jeriko dhe po kalonte nëpër qytet;

    
 
 

2.

 

dhe ja, një njeri i quajtur Zake, i cili ishte kryetari i tagrambledhësve dhe ishte i pasur.

    
 
 

3.

 

Ai kërkonte të shihte kush ishte Jezusi, por nuk mundte për shkak të turmës, sepse ishte i shkurtër nga shtati.

    
 
 

4.

 

Atëherë rendi përpara dhe u ngjit në një fik për ta parë, sepse ai duhet të kalonte andej.

    
 
 

5.

 

Dhe kur Jezusi arriti në atë vend, i çoi sytë, e pa dhe i tha: ``Zake, zbrit shpejt poshtë, sepse sot duhet të rri në shtëpinë tënde``.

    
 
 

6.

 

Dhe ai zbriti me nxitim dhe e priti me gëzim.

    
 
 

7.

 

Kur panë këtë, të gjithë murmuritën, duke thënë: ``Ai shkoi të rrijë në shtëpinë e një njeriu mëkatar``.

    
 
 

8.

 

Por Zakeu u çua dhe i tha Zotit: ``Zot, unë po u jap të varfërve gjysmën e pasurisë sime dhe, po të kem marrë ndonjë gjë nga ndonjëri me mashtrim, do t`ia kthej katërfish``.

    
 
 

9.

 

Dhe Jezusi i tha: ``Sot në këtë shtëpi ka hyrë shpëtimi, sepse edhe ky është bir i Abrahamit.

    
 
 

10.

 

Sepse Biri i njeriut erdhi të kërkojë dhe të shpëtojë atë që kishte humbur``.

    
 
 

11.

 

Dhe, ndërsa ata po i dëgjonin këto, Jezusi vazhdoi të tregojë një shëmbëlltyrë, sepse ai ishte afër Jeruzalemit dhe ata mendonin se mbretëria e Perëndisë do të shfaqej menjëherë.

    
 
 

12.

 

Tha, pra: ``Një njeri fisnik shkoi në një vend të largët për të marrë në dorëzim një mbretëri e pastaj të kthehej.

    
 
 

13.

 

Dhe, si i thirri dhjetë shërbëtorët e vet, u dha dhjetë mina dhe u tha atyre: "Tregtoni deri sa të kthehem".

    
 
 

14.

 

Por qytetarët e vet e urrenin dhe i dërguan pas një përfaqësi duke thënë: "Nuk duam që ky të mbretërojë përmbi ne".

    
 
 

15.

 

Dhe kur ai u kthye, pasi e mori në dorëzim mbretërinë, urdhëroi t`i thërresin ata shërbëtorët, të cilëve u kishte dhënë paratë për të marrë vesh sa kishte fituar secili duke tregtuar.

    
 
 

16.

 

Atëherë doli i pari dhe tha: "Zot, mina jote dha dhjetë mina të tjera";

    
 
 

17.

 

dhe ai tha: "Mirë, o shërbëtor i mirë, sepse ke qenë besnik në gjëra të vogëla, merr sundimin mbi dhjetë qytete".

    
 
 

18.

 

Pastaj erdhi i dyti duke thënë: "Zot, mina jote dha edhe pesë mina";

    
 
 

19.

 

dhe ai i tha edhe këtij: "Edhe ti ji sundimtar mbi pesë qytete".

    
 
 

20.

 

Atëherë erdhi një tjetër i cili tha: "Zot, ja mina jote që e ruajta në një shami,

    
 
 

21.

 

sepse kisha frikë nga ti, që je njeri i rreptë; ti merr atë që nuk ke vënë dhe korr atë që nuk ke mbjellë".

    
 
 

22.

 

Dhe zoti i tij i tha: "Do të të gjykoj nga vetë fjalët e tua, o shërbëtor i keq; ti e dije se jam njeri i rreptë, që marr atë që nuk kam vënë dhe korr atë që nuk kam mbjellë;

    
 
 

23.

 

përse nuk e vure paranë time në bankë që, kur të kthehem, ta marr bashkë me përqindje?".

    
 
 

24.

 

Pastaj u tha të pranishmëve: "Merrjani minën dhe ia jepni atij që ka dhjetë mina".

    
 
 

25.

 

Dhe ata i thanë: "Zot, po ai ka dhjetë mina".

    
 
 

26.

 

Unë po ju them se atij që ka, do t`i jepet; por atij që s`ka do t`i hiqet edhe ajo që ka.

    
 
 

27.

 

Veç kësaj, i sillni këtu armiqtë e mi, të cilët nuk donin që unë të mbretëroja mbi ta dhe i vritni përpara meje!"``.

    
 
 

28.

 

Mbasi tha këto gjëra, ai shkoi përpara duke u ngjitur në Jeruzalem.

    
 
 

29.

 

Dhe, si iu afrua Betfagës dhe Betanias, afër malit që quhet i Ullinjve, dërgoi dy nga dishepujt e vet,

    
 
 

30.

 

duke u thënë: ``Shkoni në fshatin përballë dhe, kur të hyni, do të gjeni aty një kërriç të lidhur, mbi të cilin nuk ka hipur kurrë njeri; zgjidheni atë dhe ma sillni.

    
 
 

31.

 

Dhe nëse ndokush ju pyet: "Përse po e zgjidhni?", u thoni atyre kështu: "Zoti ka nevojë"``.

    
 
 

32.

 

Dhe ata që ishin dërguar shkuan dhe e gjetën ashtu siç u kishte thënë.

    
 
 

33.

 

Dhe, ndërsa ata po e zgjidhnin kërriçin, të zotët e tij u thanë atyre: ``Përse po e zgjidhni kërriçin?``.

    
 
 

34.

 

Dhe ata thanë: ``Zoti ka nevojë``.

    
 
 

35.

 

Dhe e prunë, pra, te Jezusi dhe, mbasi i hidhnin rrobat e veta mbi kërriçin, e hipën Jezusin mbi të.

    
 
 

36.

 

Dhe, ndërsa ai ecte kështu përpara, ata shtronin rrobat e tyre në rrugë.

    
 
 

37.

 

Dhe kur ai iu afrua teposhtës së malit të Ullinjve, gjithë turma e dishepujve filloi me gëzim të lavdërojë Perëndinë me zë të lartë për të gjitha veprat e pushtetshme që kishin parë,

    
 
 

38.

 

duke thënë: ``Bekuar qoftë Mbreti që po vjen në emër të Zotit; paqe në qiell dhe lavdi në vendet shumë të larta``.

    
 
 

39.

 

Dhe disa farisenj që ishin midis turmës i thanë: ``Mësues, qorto dishepujt e tu!``.

    
 
 

40.

 

Dhe ai, duke u përgjigjur, u tha atyre: ``Unë po ju them se në se këta do të heshtnin, gurët do të bërtisnin``.

    
 
 

41.

 

Dhe kur ai po afrohej, e pa qytetin dhe qau mbi të,

    
 
 

42.

 

duke thënë: ``Oh, sikur ti, pikërisht ti, të njihje të paktën në ditën tënde ato që janë te nevojshme për paqen tënde! Por tashti ato janë të fshehura për sytë e tu.

    
 
 

43.

 

Sepse përmbi ty do të vijnë ditë kur armiqtë e tu do të të qarkojnë me ledh, do të të rrethojnë dhe do të të zënë nga të gjitha anët.

    
 
 

44.

 

Dhe do të të rrëzojnë përtokë ty dhe bijtë e tu në ty; dhe s`do të lënë në ty gur mbi gur, sepse ti nuk e ke njohur kohën kur je vizituar``.

    
 
 

45.

 

Pastaj, mbasi hyri në tempull, filloi t`i dëbojë jashtë ata që shistin e blinin,

    
 
 

46.

 

duke u thënë atyre: ``Éshtë shkruar: "Shtëpia ime është shtëpi e lutjes, por ju e bëtë shpellë kusarësh"``.

    
 
 

47.

 

Çdo ditë ai mësonte në tempull. Dhe krerët e priftërinjve, skribët dhe krerët e popullit kërkonin ta vrisnin.

    
 
 

48.

 

Dhe nuk arrinin dot të vendosnin çfarë të bënin; sepse gjithë populli e dëgjonte me vemendje të madhe.

    
 
 

Luka 20

 

 

 

 

 
 
HTMLBible Software - by johnhurt.com