Bibla e Shenjtë - Albanian Bible

 

Jobi

 

Kapitulli 41

 

 

1.

 

A mund ta nxjerrësh Leviathanin me grep ose të mbash të palëvizur gjuhën e tij me një litar?

    
 
 

2.

 

A mund t`i vësh një xunkth në flegrat e hundës ose t`i shposh nofullën me një çengel?

    
 
 

3.

 

A do të të lutet ai së tepërmi apo do të të drejtojë fjalë të ëmbla?

    
 
 

4.

 

A do të lidhë një besëlidhje me ty, që ti ta marrësh si shërbëtor për gjithnjë?

    
 
 

5.

 

A do të lozësh me të si me një zog apo do ta mbash lidhur për vajzat e tua?

    
 
 

6.

 

Miqtë e tu do të bëjnë me të takime të mrekullueshme apo do ta ndajnë vallë midis tregtarëve?

    
 
 

7.

 

A mund të mbulosh lëkurën e tij me shigjeta dhe kokën e tij me fuzhnja?

    
 
 

8.

 

Vëri duart mbi trupin e tij; do të të kujtohet luftimi dhe nuk ke për ta rifilluar.

    
 
 

9.

 

Ja, shpresa e atij që e sulmon është e rreme; mjafton ta shikosh dhe të zë tmerri.

    
 
 

10.

 

Askush nuk ka aq guxim sa ta provokojë. Kush, pra, është në gjendje të qëndrojë i fortë para meje?

    
 
 

11.

 

Kush më ka bërë një shërbim i pari që unë duhet ta shpërblej? Çdo gjë nën qiejt është imja.

    
 
 

12.

 

Nuk do t`i kaloj në heshtje gjymtyrët e tij, forcën e tij të madhe dhe bukurinë e armaturës së tij.

    
 
 

13.

 

Kush mund ta zhveshë nga parzmorja e tij dhe kush mund t`i afrohet me një fre të dyfishtë?

    
 
 

14.

 

Kush mund të hapë portat e gojës së tij, e rrethuar siç është nga tmerri i dhëmbëve të tij?

    
 
 

15.

 

Shumë të bukura janë rreshtat e mburojave të tij, të salduara fort si prej një vule.

    
 
 

16.

 

Ato janë aq afër njëra-tjetrës sa nuk kalon as ajri midis tyre.

    
 
 

17.

 

Janë të ngjitura njëra me tjetrën, të bashkuara fort midis tyre, dhe nuk mund të ndahen.

    
 
 

18.

 

Teshtimat e tij japin shkreptima drite dhe sytë e tij janë si qepallat e agimit.

    
 
 

19.

 

Nga goja e tij dalin flakë, dalin shkëndija zjarri.

    
 
 

20.

 

Nga flegrat e hundës së tij del tym, si nga një enë që vlon ose nga një kazan.

    
 
 

21.

 

Fryma e tij i vë zjarrin qymyrit dhe nga goja e tij del flakë.

    
 
 

22.

 

Forca qëndron te qafa e tij dhe para tij hedh valle tmerri.

    
 
 

23.

 

Pjesët e flashkëta të mishit të tij janë fort kompakte, janë mjaft të ngjeshura mbi të dhe nuk lëvizin.

    
 
 

24.

 

Zemra e tij është e fortë si një gur, e fortë si pjesa e poshtme e mokrës.

    
 
 

25.

 

Kur ngrihet, të fuqishmit kanë frikë, dhe nga tmerri mbeten të hutuar.

    
 
 

26.

 

Shpata që arrin nuk i bën asgjë, e njëjta gjë ndodh me ushtën, shigjetën dhe shtizën.

    
 
 

27.

 

E quan hekurin si kashtë dhe bronzin si dru të brejtur nga krimbi.

    
 
 

28.

 

Shigjeta nuk e bën të ikë; gurët e hobesë për të janë si kallamishte.

    
 
 

29.

 

Topuzi i duket sikur është kashtë, ai tallet me vringëllimën e ushtës.

    
 
 

30.

 

Poshtë ka maja të mprehta dhe lë gjurmë si të lesës mbi baltë.

    
 
 

31.

 

E bën të ziejë humnerën si ndonjë kazan dhe e bën detin si të ishte një enë me melhem.

    
 
 

32.

 

Lë pas vetes një vazhdë drite dhe humnera duket si e mbuluar nga thinjat.

    
 
 

33.

 

Mbi tokë nuk ka asgjë që t`i ngjajë, që të jetë bërë pa pasur fare frikë.

    
 
 

34.

 

Shiko në fytyrë tërë njerëzit mendjemëdhenj; ai është mbret mbi të gjitha bishat më madhështore".

    
 
 

Jobi 42

 

 

 

 

 
 
HTMLBible Software - by johnhurt.com