Bibla e Shenjtë - Albanian Bible

 

Jobi

 

Kapitulli 39

 

 

1.

 

A e di ti kohën kur pjellin dhitë e malit apo ke vërejtur vallë pjelljen e drenushave?

    
 
 

2.

 

A di ti të numërosh muajt kur merr fund barra e tyre, apo njeh ti kohën kur duhet të pjellin?

    
 
 

3.

 

Mblidhen dhe pjellin të vegjlit e tyre, duke u dhënë fund kështu dhembjeve të tyre.

    
 
 

4.

 

Të vegjlit e tyre bëhen të fortë, rriten jashtë, shkëputen dhe nuk kthehen më pranë tyre.

    
 
 

5.

 

Kush lë të lirë gomarin e egër, kush e ka zgjidhur gomarin e egër,

    
 
 

6.

 

të cilit i kam caktuar të rrijë në shkretëtirë dhe tokën e kripur si banesë?

    
 
 

7.

 

Ai përçmon zhurmën e qytetit dhe nuk dëgjon britmat e asnjë zotërie.

    
 
 

8.

 

Hapësirat e gjera të maleve janë kullota e tij, dhe ai shkon dhe kërkon çdo gjë që është e gjelbër.

    
 
 

9.

 

Bualli vallë a pranon të të shërbejë ose të kalojë natën pranë grazhdit tënd?

    
 
 

10.

 

A mund ta lidhësh vallë buallin me litar që të lërojë tokën në hulli, ose të lesojë luginat pas teje?

    
 
 

11.

 

A do t`i kesh besim atij, sepse forca e tij është e madhe, ose do t`ia lësh atij punën tënde?

    
 
 

12.

 

A do të mbështetesh tek ai për të çuar në shtëpi grurin dhe për ta mbledhur në lëmë?

    
 
 

13.

 

Krahët e strucit rrahin tërë gaz, por ato nuk janë me siguri krahët dhe pendët e lejlekut.

    
 
 

14.

 

Ai në fakt i braktis vezët e tij për tokë dhe i lë të ngrohen në pluhur.

    
 
 

15.

 

duke harruar që një këmbë mund t`i shtypë ose një kafshë e fushave mund t`i shkelë.

    
 
 

16.

 

I trajton ashpër të vegjlit e tij, sikur të mos ishin të vetët; por lodhja e tij pa asnjë interes është e kotë,

    
 
 

17.

 

sepse Perëndia e ka lënë pa dituri dhe nuk i ka dhënë zgjuarsi.

    
 
 

18.

 

Por kur ngrihet më këmbë për të ikur, tallet me kalin dhe me kalorësin e tij.

    
 
 

19.

 

A je ti ai që i ke dhënë forcën kalit dhe ia ke veshur qafën me jele që valëviten?

    
 
 

20.

 

A je ti ai që e bën të kërcejë si një karkalec? Hingëllima e tij krenare të kall tmerr.

    
 
 

21.

 

Çukërmon në luginë duke u kënaqur nga forca e tij; sulet në mes të kacafytjes me armë.

    
 
 

22.

 

Përbuz frikën dhe nuk trembet, as zmbrapset përpara shpatës.

    
 
 

23.

 

Mbi të kërcet këllëfi i shigjetave, shtiza që vetëtin dhe ushta.

    
 
 

24.

 

Me zjarr dhe vrull i zhduk distancat dhe nuk qëndron në vend kur bie buria.

    
 
 

25.

 

Që në dëgjimin e parë të burisë, ai thotë: "Aha"!, dhe e nuhat nga larg betejën, zërin kumbues të kapitenëve dhe britmën e luftës.

    
 
 

26.

 

Mos vallë për shkak të zgjuarsisë sate ngrihet e fluturon krahathati dhe i hap krahët e tij drejt jugut?

    
 
 

27.

 

Éshtë vallë nën komandën tënde që shqiponja ngrihet lart dhe e bën folenë e saj në vende të larta?

    
 
 

28.

 

Banon mbi shkëmbinj dhe qëndron mbi krepa të rrëpirta.

    
 
 

29.

 

Nga lart ajo përgjon gjahun dhe sytë e saj vrojtojnë larg.

    
 
 

30.

 

Të vegjlit e saj thithin gjak dhe, ku ka të vrarë, atje ndodhet ajo".

    
 
 

Jobi 40

 

 

 

 

 
 
HTMLBible Software - by johnhurt.com