Bibla e Shenjtë - Albanian Bible

 

Jobi

 

Kapitulli 5

 

 

1.

 

"Bërtit, pra! A ka vallë ndonjë që të përgjigjet? Kujt prej shenjtorëve do t`i drejtohesh?

    
 
 

2.

 

Zemërimi në fakt e vret të pamendin dhe zilia e vret budallanë.

    
 
 

3.

 

E kam parë të pamendin të lëshojë rrënjë, por shumë shpejt e mallkova banesën e tij.

    
 
 

4.

 

Bijtë e tij nuk kanë asnjë siguri, janë të shtypur te porta, dhe nuk ka njeri që t`i mbrojë.

    
 
 

5.

 

I urituri përpin të korrat e tij, ia merr edhe sikur të jenë midis gjembave, dhe një lak përpin pasurinë e tij.

    
 
 

6.

 

Sepse shpirtligësia nuk del nga pluhuri dhe mundimi nuk mbin nga toka;

    
 
 

7.

 

por njeriu lind për të vuajtur, ashtu si shkëndija për t`u ngjitur lart.

    
 
 

8.

 

Por unë do të kërkoja Perëndinë, dhe Perëndisë do t`i besoja çështjen time,

    
 
 

9.

 

atij që bën gjëra të mëdha dhe që nuk mund të njihen; mrekulli të panumërta,

    
 
 

10.

 

që i jep shiun tokës dhe dërgon ujin në fushat;

    
 
 

11.

 

që ngre të varfrit dhe vë në siguri lart ata që vuajnë.

    
 
 

12.

 

I bën të kota synimet e dinakëve, dhe kështu duart e tyre nuk mund të realizojnë planet e tyre;

    
 
 

13.

 

i merr të urtët në dredhinë e tyre, dhe kështu këshilla e të pandershmëve shpejt bëhet tym.

    
 
 

14.

 

Gjatë ditës ata hasin në errësirë, bash në mesditë ecin me tahmin sikur të ishte natë;

    
 
 

15.

 

por Perëndia e shpëton nevojtarin nga shpata, nga goja e të fuqishmëve dhe nga duart e tyre.

    
 
 

16.

 

Kështu ka shpresë për të mjerin, por padrejtësia ia mbyll gojën atij.

    
 
 

17.

 

Ja, lum njeriu që Perëndia dënon; prandaj ti mos e përbuz ndëshkimin e të Plotfuqishmit;

    
 
 

18.

 

sepse ai e bën plagën, dhe pastaj e fashon, plagos, por duart e tij shërojnë.

    
 
 

19.

 

Nga gjashtë fatkeqësi ai do të të çlirojë, po, në të shtatën e keqja nuk do të të prekë.

    
 
 

20.

 

Në kohë zie do të të shpëtojë nga vdekja, në kohë lufte nga forca e shpatës.

    
 
 

21.

 

Do t`i shpëtosh fshikullit të gjuhës, nuk do të trembesh kur të vijë shkatërrimi.

    
 
 

22.

 

Do të qeshësh me shkatërrimin dhe me zinë, dhe nuk do të kesh frikë nga bishat e dheut;

    
 
 

23.

 

sepse do të kesh një besëlidhje me gurët e dheut, dhe kafshët e fushave do të jenë në paqe me ty.

    
 
 

24.

 

Do të dish që çadra jote është e siguruar; do të vizitosh kullotat e tua dhe do të shikosh që nuk mungon asgjë.

    
 
 

25.

 

Do të kuptosh që pasardhësit e tu janë të shumtë dhe të vegjlit e tu si bari i fushave.

    
 
 

26.

 

Do të zbresësh në varr në moshë të shkuar, ashtu si në stinën e vet mblidhet një tog duajsh.

    
 
 

27.

 

Ja ç`kemi gjetur; kështu është. Dëgjoje dhe përfito".

    
 
 

Jobi 6

 

 

 

 

 
 
HTMLBible Software - by johnhurt.com