Bibla e Shenjtë - Albanian Bible

 

Jobi

 

Kapitulli 4

 

 

1.

 

Atëherë Elifazi nga Temani u përgjigj dhe tha:

    
 
 

2.

 

"A do të të bezdiste ndokush në rast se do të provonte të të fliste? Por kush mund t`i ndalë fjalët?

    
 
 

3.

 

Ja ti ke mësuar shumë prej tyre dhe ua ke fortësuar duart e lodhura;

    
 
 

4.

 

fjalët e tua u kanë dhënë zemër të lëkundurve dhe kanë forcuar gjunjët që gjunjëzohen.

    
 
 

5.

 

Por tani që e keqja të zuri ty, nuk je në gjendje të veprosh; të ka goditur ty, dhe ti e ke humbur fare.

    
 
 

6.

 

Mëshira jote a nuk është vallë besimi yt, dhe ndershmëria e sjelljes sate, shpresa jote?

    
 
 

7.

 

Mbaje mend: cili i pafajmë është zhdukur vallë, dhe a janë shkatërruar vallë njerëzit e ndershëm?

    
 
 

8.

 

Ashtu siç e kam parë unë vetë, ata që lërojnë paudhësinë dhe mbjellin mjerimin, vjelin frytet e tyre.

    
 
 

9.

 

Me frymën e Perëndisë ata vdesin, era e zemërimit të tij i tret ata.

    
 
 

10.

 

Vrumbullima e luanit, zëri i luanit të egër dhe dhëmbët e luanëve të vegjël janë thyer.

    
 
 

11.

 

Luani vdes për mungesë gjahu dhe të vegjlit e luaneshës shpërndahen.

    
 
 

12.

 

Një fjalë më ka ardhur fshehurazi dhe veshi im ka zënë pëshpëritjen e saj.

    
 
 

13.

 

Midis mendimeve të vizioneve të natës, kur një gjumë i rëndë bie mbi njerëzit,

    
 
 

14.

 

më pushtoi një llahtari e madhe dhe një rrëqethje që bëri të dridhen gjithë kockat e mia.

    
 
 

15.

 

Një frymë më kaloi përpara, dhe m`u ngritën përpjetë qimet e trupit.

    
 
 

16.

 

Ai u ndal, por nuk munda ta dalloj pamjen e tij; një figurë më rrinte para syve; kishte heshtje, pastaj dëgjova një zë që thoshte:

    
 
 

17.

 

"A mund të jetë një i vdekshëm më i drejtë se Perëndia? A mund të jetë një njeri më i pastër se Krijuesi i tij?

    
 
 

18.

 

Ja, ai nuk u zë besë as shërbëtorëve të tij, dhe gjen madje të meta edhe tek engjëjt e tij;

    
 
 

19.

 

aq më tepër tek ata që banojnë në shtëpi prej argjile, themelet e të cilave janë në pluhur, dhe shtypen si një tenjë.

    
 
 

20.

 

Nga mëngjesi deri në mbrëmje shkatërrohen; zhduken për fare, dhe asnjeri nuk i vë re.

    
 
 

21.

 

Litarin e çadrës së tyre vallë a nuk ua këpusin? Ata vdesin, por pa dituri"".

    
 
 

Jobi 5

 

 

 

 

 
 
HTMLBible Software - by johnhurt.com