Bibla e Shenjtë - Albanian Bible

 

Zbulesa

 

Kapitulli 16

 

 

1.

 

Pastaj dëgjova një zë të madh nga tempulli që u thoshte të shtatë engjëjve: ``Shkoni dhe derdhni mbi dhe kupat e zemërimit të Perëndisë``.

    
 
 

2.

 

I pari shkoi dhe e derdhi kupën e vet mbi tokë, dhe një ulçerë e ligë dhe e dhimbshme goditi njerëzit që kishin damkën e bishës dhe ata që adhuronin figurën e saj.

    
 
 

3.

 

Pastaj engjëlli i dytë e derdhi kupën e tij në det; dhe u bë gjak si i një të vdekuri dhe çdo qenie e gjallë në det vdiq.

    
 
 

4.

 

Edhe engjëlli i tretë e derdhi kupën e tij në lumenj dhe në burimet e ujërave; dhe u bë gjak.

    
 
 

5.

 

Dhe dëgjova engjëllin e ujërave duke thënë: ``Ti je i drejtë, o Zot, që je që ishe dhe që do të vish, i Shenjti që gjykoi këto gjëra.

    
 
 

6.

 

Ata kanë derdhur gjakun e shenjtorëve dhe të profetëve, dhe ti u dhe atyre të pijnë gjak, sepse është shpërblimi që ata meritojnë``.

    
 
 

7.

 

Dhe dëgjova një tjetër që thoshte nga altari: ``Po, o Zot, Perëndi i plotfuqishëm, gjykimet e tua janë të vërteta dhe të drejta``.

    
 
 

8.

 

Dhe engjëlli i katërt e derdhi kupën e tij mbi dielli; dhe iu dha atij të djegë njerëzit me zjarr.

    
 
 

9.

 

Dhe njerëzit u dogjën nga një nxehtësi e madhe dhe ata blasfemuan emrin e Perëndisë që ka pushtet mbi këto plagë, dhe nuk u penduan që t`i japin lavdi atij.

    
 
 

10.

 

Dhe engjëlli i pestë e derdhi kupën e tij mbi fronin e bishës; dhe mbretëria e tij u mbulua me terr; dhe njerëzit kafshonin gjuhët e tyre nga dhembja,

    
 
 

11.

 

dhe blasfemuan Perëndinë e qiellit për shkak të dhembjeve të tyre dhe ulçerët e tyre, por nuk u penduan për veprat e tyre.

    
 
 

12.

 

Pastaj engjëlli i gjashtë e derdhi kupën e tij në lumin e madh Eufrat dhe uji i tij u tha për të bërë gati udhën e mbretërve që vijnë nga lindja e diellit.

    
 
 

13.

 

Dhe pashë të dilte nga goja e dragoit, nga goja e bishës dhe nga goja e profetit të rremë, tri frymë të ndyra, që u ngjanin bretkosave.

    
 
 

14.

 

Sepse në fakt janë fryma të demonëve që bëjnë mrekulli, që shkojnë te mbretërit e dheut dhe të gjithë botës, që t`i mbledhin për luftën e ditës së madhe të Perëndisë së Plotfuqishëm.

    
 
 

15.

 

``Ja, unë po vij si vjedhës; lum ai që rri zgjuar dhe ruan rrobat e veta që të mos ecë i zhveshur dhe të duket turpi i tij``.

    
 
 

16.

 

Dhe i mblodhën në një vend që hebraisht quhet ``Armagedon``.

    
 
 

17.

 

Pastaj engjëlli i shtatë e derdhi kupën e tij në erë; dhe doli një zë i madh nga tempulli i qiellit, nga froni, duke thënë: ``U bë``.

    
 
 

18.

 

Atëherë shkrepën zëra bubullima dhe vetëtima, dhe u bë një tërmet i madh, që i tillë nuk ishte bërë qëkurse u bënë njerëzit mbi tokë, një tërmet kaq fort i madh.

    
 
 

19.

 

Dhe qyteti i madh u nda në tri pjesë dhe qytetet e kombeve ranë, Babilona e madhe u kujtua përpara Perëndisë, që t`i japë kupën e verës së zemërimit të tij të tërbuar.

    
 
 

20.

 

Dhe çdo ishull iku, edhe malet nuk u gjetën më.

    
 
 

21.

 

Dhe një breshër i madh, me peshë prej një talenti, ra nga qielli mbi njerëzit; edhe njerëzit blasfemuan Perëndinë për plagën e breshërit; sepse plaga e tij ishte me të vërtetë e madhe.

    
 
 

Zbulesa 17

 

 

 

 

 
 
HTMLBible Software - by johnhurt.com