Bibla e Shenjtë - Albanian Bible

 

1 e Korintasve

 

Kapitulli 7

 

 

1.

 

Tani lidhur me ato që më shkruat, mirë është për njeriun të mos prekë grua.

    
 
 

2.

 

Por, për shkak të kurvërimit, le të ketë secili gruan e vet dhe secila grua burrin e vet.

    
 
 

3.

 

Burri le të kryejë detyrën martesore ndaj gruas, po ashtu edhe gruaja ndaj burrit.

    
 
 

4.

 

Gruaja nuk ka pushtet mbi trupin e vet, por burri; gjithashtu burri nuk ka pushtet mbi trupin e vet, por gruaja.

    
 
 

5.

 

Mos ia privoni njëri-tjetrit, rveç në qoftë se jeni marrë vesh, për një farë kohe, që t`i kushtoheni agjërimit dhe lutjes, dhe përsëri ejani bashkë që të mos ju tundojë Satani për shkak të mungesës së vetkontrollit tuaj.

    
 
 

6.

 

Dhe këtë unë e them si leje, jo si urdhërim,

    
 
 

7.

 

sepse do të doja që të gjithë njerëzit të ishin si unë; por secili ka dhunti të veçantë nga Perëndia, njeri kështu dhe tjetri ashtu.

    
 
 

8.

 

Por të pamartuarve dhe grave të veja po u them se për ta është mirë nëse qëndrojnë si unë,

    
 
 

9.

 

por në qoftë se s`kanë vetkontroll, le të martohen, sepse është më mirë të martohesh se të digjesh.

    
 
 

10.

 

Kurse të martuarve u urdhëroj, jo unë, por Zoti, që gruaja të mos ndahet nga burri,

    
 
 

11.

 

dhe në qoftë se ndahet, të mbetet e pamartuar, ose të pajtohet me burrin e saj. Dhe burri të mos e lërë gruan.

    
 
 

12.

 

Dhe të tjerëve u them unë, jo Zoti: në qoftë se një vëlla ka një grua jobesimtare dhe ajo pranon të jetojë bashkë me të, të mos e lërë atë.

    
 
 

13.

 

Edhe gruaja, që ka një burrë jobesimtar, në qoftë se ai pranon të jetojë bashkë me të, të mos e lërë atë,

    
 
 

14.

 

sepse burri jobesimtar është shenjtëruar me anë të gruas, dhe gruaja jobesimtare është shenjtëruar me anë të burrit, sepse përndryshe fëmijët do të ishin të papastër; kurse kështu janë të shenjtë.

    
 
 

15.

 

Nëse jobesimtari ndahet, le të ndahet; në këto raste vëllai ose motra nuk janë më të lidhur; por Perëndia na ka thirrur në paqe.

    
 
 

16.

 

Sepse çfarë di ti, o grua, nëse ke për ta shpëtuar burrin? Ose ç`di ti, o burrë, nëse ke për ta shpëtuar gruan?

    
 
 

17.

 

Gjithsesi secili të vazhdojë të jetojë ashtu si ia ka dhënë Perëndia dhe ashtu sikurse e thirri Zoti; dhe kështu urdhëroj në të gjitha kishat.

    
 
 

18.

 

A u thirr ndokush kur ishte i rrethprerë? Le të mos bëhet i parrethprerë. Dikush u thirr kur ishte i parrethprerë? Le të mos rrethpritet.

    
 
 

19.

 

Rrethprerja nuk është asgjë dhe parrethprerja nuk është asgjë, vetëm zbatimi i urdhërimeve të Perëndisë ka rëndësi.

    
 
 

20.

 

Gjithsecili le të mbetet në atë gjendje në të cilën ishte thirrur.

    
 
 

21.

 

A je thirrur kur ishe skllav? Mos u pikëllo; por nëse mund të bëhesh i lirë, më mirë ta bësh këtë.

    
 
 

22.

 

Sepse ai që është thirrur në Zotin kur ishte skllav, është i liruari i Zotit; po ashtu ai që është thirrur kur ishte i liruar, është skllav i Krishtit.

    
 
 

23.

 

Ju jeni blerë me një çmim, mos u bëni skllevër të njerëzve.

    
 
 

24.

 

Vëllezër, secili le të mbetet te Perëndia në gjendjen në të cilën është thirrur.

    
 
 

25.

 

Por për sa u takon virgjëreshave, s`kam urdhër nga Zoti, por po jap një mendim si njeri që kam fituar mëshirën e Zotit për të qenë i besueshëm.

    
 
 

26.

 

Mendoj se është mirë për njeriun të jetë kështu siç është, për shkak të ngushticës së tanishme.

    
 
 

27.

 

Je i lidhur me një grua? Mos kërko të zgjidhesh. Je i zgjidhur nga gruaja? Mos kërko grua.

    
 
 

28.

 

Por, edhe në qoftë se martohesh, ti nuk mëkaton; edhe nëse një virgjëreshë martohet, nuk mëkaton; por këta do të kenë shtrëngim në mish; dhe unë dëshiroj t`ju kursej juve.

    
 
 

29.

 

Dhe po ju them këtë, o vëllezër, se koha tanimë është shkurtuar; kështu tash e tutje edhe ata që kanë gra të jenë si ata që nuk kanë;

    
 
 

30.

 

dhe ata që qajnë, sikurse të mos qanin; dhe ata që gëzohen, sikurse të mos gëzoheshin; dhe ata që blejnë, sikur të mos kishin gjë në zotërim;

    
 
 

31.

 

dhe ata që përdorin nga kjo botë, sikur të mos e përdornin, sepse forma e kësaj bote po kalon.

    
 
 

32.

 

Dhe unë dëshiroj që ju të jeni pa merak. I pamartuari merakoset për gjërat e Zotit, si mund t`i pëlqejë Zotit;

    
 
 

33.

 

por i martuari merakoset për gjërat e botës, si mund t`i pëlqejë gruas së tij.

    
 
 

34.

 

Ka dallim gruaja nga virgjëresha; e pamartuara kujdeset për gjërat e Zotit që të jetë e shenjtë në trup e në frymë, kurse e martuara kujdeset për gjërat e botës, si mund t`i pëlqejë burrit.

    
 
 

35.

 

Edhe këtë unë e them për dobinë tuaj, jo që t`ju vë një lak, po që të jeni të hijshëm dhe t`i kushtoheni Zotit pa u shkëputur.

    
 
 

36.

 

Por nëqoftëse dikush mendon të sillet në mënyrë të pahijshme ndaj virgjëreshës së tij, kur asaj i kalon lulja e kohës, edhe duhet të bëhet kështu, le të bëjë çfarë të dojë; le të martohen.

    
 
 

37.

 

Por ai që është i qëndrueshëm në zemër të vet dhe që nuk i nënshtrohet nevojës, por është zot i vullnetit të vet dhe e ka vendosur në zemër të vet të ruajë virgjëreshën e tij, bën mirë.

    
 
 

38.

 

Prandaj ai që marton bën mirë, ai që nuk e marton bën edhe më mirë.

    
 
 

39.

 

Gruaja është e lidhur për sa kohë rron burri i saj; por, në qoftë se i vdes burri, ajo është e lirë të martohet me cilin të dojë, veçse kjo punë të bëhet në Zotin.

    
 
 

40.

 

Por, sipas gjykimit tim, ajo është më e lumtur, po mbeti ashtu; dhe mendoj se edhe unë kam Frymën e Perëndisë.

    
 
 

1 e Korintasve 8

 

 

 

 

 
 
HTMLBible Software - by johnhurt.com