Bibla e Shenjtë - Albanian Bible

 

Veprat e Apostujve

 

Kapitulli 6

 

 

1.

 

Por në ato ditë, duke u shumuar numri i dishepujve, lindi një murmuritje nga ana e Helenistëve kundër Hebrenjve, sepse vejushat e tyre po liheshin pas dore në shërbimin e përditshëm.

    
 
 

2.

 

Atëherë të dymbëdhjetët, pasi mblodhën numrin e madh të dishepujve, thanë: ``Nuk është mirë që ne të lëmë fjalën e Perëndisë për të shërbyer nëpër tryeza.

    
 
 

3.

 

Prandaj, vëllezër, kërkoni midis jush shtatë burra, me dëshmi të mirë, të mbushur me Frymën e Shenjtë dhe me urtësi, të cilëve do t`ua besojmë këtë detyrë.

    
 
 

4.

 

Kurse ne do të vazhdojmë t`i kushtohemi lutjes dhe shërbesës së fjalës``.

    
 
 

5.

 

Ky propozim u pëlqeu gjithë dishepujve. Dhe zgjodhën Stefanin, njeri plot besim dhe Frymë të Shenjtë, Filipin, Prohorin, Nikanorin, Timonin, Parmenin dhe Nikollën, një prozelit nga Antiokia.

    
 
 

6.

 

I paraqitën pastaj përpara apostujve, të cilët, mbasi u lutën, vunë duart mbi ta.

    
 
 

7.

 

Ndërkaq fjala e Perëndisë po përhapej, dhe numri i dishepujve po shumohej fort në Jeruzalem, edhe një numër i madh priftërinjsh i bindej besimit.

    
 
 

8.

 

Dhe Stefani, plot besim dhe fuqi, bënte mrekulli dhe shenja të mëdha nëpër popull.

    
 
 

9.

 

Dhe disa nga sinagoga, që quhej e Libertinëve, të Kirenarëve, të Aleksandrinëve dhe të atyre të Kilikisë dhe të Azisë u ngritën që të grindeshin me Stefanin;

    
 
 

10.

 

por nuk mund t`i bënin ballë urtësisë dhe frymës me anë të së cilës ai fliste.

    
 
 

11.

 

Atëherë nxitën disa njerëz të thoshnin: ``Ne e kemi dëgjuar duke folur fjalë blasfemie kundër Moisiut dhe kundër Perëndisë``.

    
 
 

12.

 

Edhe e ngacmuan popullin, pleqtë dhe skribët; dhe, iu sulën, e kapën dhe e çuan te sinedri.

    
 
 

13.

 

Pastaj paraqitën dëshmitarë të rremë që thoshnin: ``Ky njeri nuk pushon së foluri fjalë blasfemie kundër këtij vendi të shenjtë dhe kundër ligjit.

    
 
 

14.

 

E kemi dëgjuar, në fakt, duke thënë se ky Jezusi, Nazareasi, do ta rrënojë këtë vend dhe do të ndryshojë ritet që na ka dhënë Moisiu``.

    
 
 

15.

 

Dhe të gjithë ata që rrinin në sinedër i ngulën sytë në të, dhe panë fytyrën e tij posi fytyra e një engjëlli.

    
 
 
 
 
HTMLBible Software - by johnhurt.com