Bibla e Shenjtë - Albanian Bible

 

Gjoni

 

Kapitulli 19

 

 

1.

 

Atëherë Pilati mori Jezusin dhe dha urdhër ta fshikullonin.

    
 
 

2.

 

Dhe ushtarët thurrën një kurorë me gjemba, ia vunë mbi krye dhe i veshën siper një mantel të purpurt,

    
 
 

3.

 

dhe thoshnin: ``Tungjatjeta, o mbret i Judenjve``; dhe i binin me shuplaka.

    
 
 

4.

 

Pastaj Pilati doli përsëri dhe u tha atyre: ``Ja, po jua nxjerr jashtë, që ta dini se nuk gjej në të asnjë faj``.

    
 
 

5.

 

Jezusi, pra, doli, duke mbajtur kurorën prej gjembash dhe mantelin e purpurit. Dhe Pilati u tha atyre: ``Ja njeriu!``.

    
 
 

6.

 

Kur e panë krerët e priftërinjve dhe rojet, filluan të bërtasin, duke thënë: ``Kryqëzoje, kryqëzoje!``. Pilati u tha atyre: ``Merreni ju dhe kryqëzojeni, sepse unë nuk gjej në të asnjë faj``.

    
 
 

7.

 

Judenjtë iu përgjigjën: ``Ne kemi një ligj dhe sipas ligjit tonë ai duhet të vdesë, sepse e bëri veten Bir të Perëndisë``.

    
 
 

8.

 

Kur Pilati i dëgjoi këto fjalë, kishte akoma më shumë frikë;

    
 
 

9.

 

dhe, si u kthye në pretorium, i tha Jezusit: ``Nga je ti?``. Por Jezusi nuk i dha kurrfarë përgjigje.

    
 
 

10.

 

Për këtë arsye Pilati i tha: ``S`po më flet? ti s`e di që unë kam pushtet të të kryqëzoj dhe pushtet të të liroj?``.

    
 
 

11.

 

Jezusi u përgjigj: ``Ti nuk do të kishe asnjë pushtet përmbi mua, po të mos të qe dhënë prej së larti; prandaj ai që më dorëzoi tek ti ka faj më të madh``.

    
 
 

12.

 

Që nga ai moment Pilati kërkoi ta lironte; por Judenjtë bërtisnin, duke thënë: ``Po e lirove këtë, nuk je mik i Cezarit; kush e bën veten mbret, i kundërvihet Cezarit``.

    
 
 

13.

 

Pilati, pra, kur i dëgjoi këto fjalë, e çoi jashtë Jezusin dhe u ul në selinë e gjykatës, në vendin e quajtur "Kalldrëm", e në hebraisht "Gabatha";

    
 
 

14.

 

tani ishte dita e përgatitjes së Pashkës, dhe ishte afërsisht ora e gjashtë; dhe u tha Judenjve: ``Ja mbreti juaj``.

    
 
 

15.

 

Por ata bërtitën: ``Largoje! Largoje! Kryqëzoje!``. Pilati u tha atyre: ``Ta kryqëzoj mbretin tuaj?``. Krerët e priftërinjve u përgjigjën: ``Ne s`kemi mbret tjetër përveç Cezarit!``.

    
 
 

16.

 

Atëherë ai ua dorëzoi që të kryqëzohej. Dhe ata e morën Jezusin dhe e çuan tutje.

    
 
 

17.

 

Dhe ai, duke mbartur kryqin e tij, u nis drejt vendit që quhej "Kafka", që në hebraisht quhet "Golgota",

    
 
 

18.

 

ku e kryqëzuan, dhe me të dy të tjerë, njërin në një anë e tjetrin në anën tjetër, dhe Jezusi në mes.

    
 
 

19.

 

Dhe Pilati shkroi edhe një mbishkrim dhe e vuri në kryq; dhe atje ishte shkruar: "JEZUSI NAZAREAS, MBRETI I JUDENJVE".

    
 
 

20.

 

Kështu këtë mbishkrim e lexuan shumë nga Judenjtë, sepse vendi ku u kryqëzua Jezusi ishte afër qytetit; dhe mbishkrimi ishte shkruar hebraisht, greqisht dhe latinisht.

    
 
 

21.

 

Prandaj krerët e priftërinjve të Judenjve i thanë Pilatit: ``Mos shkruaj: "Mbreti i Judenjve", por se ai ka thënë: "Unë jam mbreti i Judenjve"``.

    
 
 

22.

 

Pilati u përgjigj: ``Atë që kam shkruar, e kam shkruar!``.

    
 
 

23.

 

Dhe ushtarët, mbasi e kishin kryqëzuar Jezusin, morën rrobat e tij dhe bënë katër pjesë, një pjesë për çdo ushtar, dhe tunikën. Por tunika ishte pa tegel, e endur një copë nga maja e deri në fund.

    
 
 

24.

 

Prandaj ata i thanë njëri-tjetrit: ``Nuk e grisim, por hedhim short kujt t`i bjerë``; që të përmbushej Shkrimi, që thotë: ``I ndanë midis tyre rrobat e mia, dhe hodhën short për tunikën time``. Ushtarët, pra, i bënë këto gjëra.

    
 
 

25.

 

Por afër kryqit të Jezusit, qendronin nëna e tij dhe motra e nënës së tij, Maria e Kleopas dhe Maria Magdalenë.

    
 
 

26.

 

Atëherë Jezusi, kur pa nënën e tij dhe pranë saj dishepullin që donte, i tha nënës së tij: ``O grua, ja biri yt!``.

    
 
 

27.

 

Pastaj i tha dishepullit: ``Ja nëna jote!``. Dhe që në atë moment ai e mori në shtëpinë e vet.

    
 
 

28.

 

Pas kësaj, Jezusi, duke ditur që tashmë çdo gjë ishte kryer, që të përmbushej Shkrimi, tha: ``Kam etje!``.

    
 
 

29.

 

Por aty ishte një enë plot me uthull. Pasi shtinë një sfungjer në uthull dhe e vunë në majë të një dege hisopi, ia afruan te goja.

    
 
 

30.

 

Kur Jezusi e mori uthullën, tha: ``U krye!``. Dhe duke ulur kryet, dha frymën.

    
 
 

31.

 

Duke qenë se ishte dita e Përgatitjes, me qëllim që trupat të mos qëndronin në kryq të shtunën, sepse ajo e shtunë ishte një ditë me rëndësi të veçantë, Judenjtë i kërkuan Pilatit që atyre t`u thyheshin kërcinjtë dhe të hiqeshin që andej.

    
 
 

32.

 

Ushtarët, pra, erdhën dhe ia thyen kërcinjtë të parit dhe pastaj edhe tjetrit që ishte kryqëzuar me të;

    
 
 

33.

 

por, kur erdhën te Jezusi, dhe si panë se ai tashmë kishte vdekur, nuk ia thyen kërcinjtë,

    
 
 

34.

 

por njëri nga ushtarët ia tejshpoi brinjën me një heshtë, dhe menjëherë i doli gjak e ujë.

    
 
 

35.

 

Dhe ai që ka parë, ka dëshmuar për këtë, dhe dëshmia e tij është e vërtetë; dhe ai e di se thotë të vërtetën, që ju të besoni.

    
 
 

36.

 

Këto gjëra në fakt ndodhën që të përmbushet Shkrimi: ``Nuk do t`i thyhet asnjë eshtër``.

    
 
 

37.

 

Dhe akoma një Shkrim tjetër thotë: ``Do të vështrojnë atë që e kanë tejshpuar``.

    
 
 

38.

 

Pas këtyre gjërave, Jozefi nga Arimatea, që ishte dishepull i Jezusit, por fshehtas nga druajtja e Judenjve, i kërkoi Pilatit që mund ta merrte trupin e Jezusit; dhe Pilati i dha leje. Atëherë ai erdhi dhe e mori trupin e Jezusit.

    
 
 

39.

 

Por erdhi dhe Nikodemi, i cili më përpara kishte vajtur te Jezusi natën, duke sjellë një përzierje prej mirre dhe aloe, prej rreth njëqind librash.

    
 
 

40.

 

Ata, pra, e morën trupin e Jezusit dhe e mbështollën në pëlhura liri me erëra të këndëshme, sipas zakonit të varrimit që ndiqnin Judenjtë.

    
 
 

41.

 

Por në atë vend ku ai u kryqëzua ishte një kopsht, dhe në kopsht një varr i ri, në të cilën ende nuk ishte vënë askush.

    
 
 

42.

 

Aty, pra, për shkak të Përgatitjes së Judenjve, e vunë Jezusin, sepse varri ishte afër.

    
 
 

Gjoni 20

 

 

 

 

 
 
HTMLBible Software - by johnhurt.com