Bibla e Shenjtë - Albanian Bible

 

Gjoni

 

Kapitulli 7

 

 

1.

 

Pas këtyre gjërave, Jezusi përshkoi Galilenë, sepse nuk donte të endej nëpër Jude, nga që Judenjtë kërkonin ta vrisnin.

    
 
 

2.

 

Por festa e Judenjve, ajo e Tabernakujve ishte afër.

    
 
 

3.

 

Prandaj vëllezërit e tij i thanë: ``Nisu prej këndej dhe shko në Jude, që edhe dishepujt e tu t`i shohin veprat që ti bën.

    
 
 

4.

 

Askush në fakt nuk bën asgjë në fshehtësi kur kërkon të nijhet botërisht; kur ti do të bësh gjëra të tilla, tregohu botës!``.

    
 
 

5.

 

Në fakt as vëllezërit e tij nuk besonin në të.

    
 
 

6.

 

Atëherë Jezusi u tha aytre: ``Koha ime nuk ka ardhur ende; por koha juaj është gjithmonë gati.

    
 
 

7.

 

Bota nuk mund t`ju urrejë juve, por më urren mua sepse unë dëshmoj për të se veprat e saj janë të mbrapshta.

    
 
 

8.

 

Ngjituni ju në këtë festë; unë nuk po ngjitem ende në këtë festë, sepse koha ime ende nuk është plotësuar``.

    
 
 

9.

 

Dhe si u tha atyre këto gjëra, mbeti në Galile.

    
 
 

10.

 

Mbasi vëllezërit e tij u ngjitën në festë, atëherë edhe ai u ngjit atje, jo haptas, por si fshehurazi.

    
 
 

11.

 

Judenjtë, pra, e kërkonin gjatë festës dhe thoshnin: ``Ku është ai?``.

    
 
 

12.

 

Në turmë pëshpëritej shumë për të; disa thoshnin: ``Ai është i mirë!``. Të tjerë thoshnin: ``Jo, madje ai e mashtron popullin``.

    
 
 

13.

 

Por askush nuk fliste haptas për të, nga druajtja e Judenjve.

    
 
 

14.

 

Por, aty nga mesi i festës, Jezusi u ngjit në tempull dhe mësonte.

    
 
 

15.

 

Dhe Judenjtë mrrekulloheshin duke thënë: ``Si i ditka ky shkronjat, pa pasur studiuar?``.

    
 
 

16.

 

Jezusi atëherë iu përgjigj atyre dhe tha: ``Doktrina ime nuk është imja, por e atij që më ka dërguar.

    
 
 

17.

 

Në qoftë se dikush don të bëjë vullnetin e tij, do ta njohë nëse kjo doktrinë vjen nga Perëndia apo që unë flas nga vetja ime.

    
 
 

18.

 

Kush flet nga vetja e tij kërkon lavdinë e vet, kurse ai që kërkon lavdinë e atij që e ka dërguar është i vërtetë, dhe në të nuk ka padrejtësi.

    
 
 

19.

 

A nuk jua ka dhënë Moisiu ligjin? E pra, asnjë nga ju nuk e vë në praktikë ligjin. Pse kërkoni të më vritni?``.

    
 
 

20.

 

Turma u përgjigj dhe tha: ``Ti ke një demon; kush kërkon të të vrasë?``.

    
 
 

21.

 

Jezusi u përgjigj dhe u tha: ``Unë bëra një vepër dhe ju të gjithë jeni të mreku-lluar.

    
 
 

22.

 

Prandaj Moisiu iu dha rrethprerjen (ajo nuk është prej Moisiut, por prej etërve); dhe ju e rrethpritni një njeri të shtunën.

    
 
 

23.

 

Në qoftë se një njeri merr rrethprerjen të shtunën, që të mos shkelet ligji i Moisiut, ju zemëroheni kundër meje sepse shërova tërësishtë një njeri të shtunën?

    
 
 

24.

 

Mos gjykoni sipas pamjes së jashtme, por gjykoni sipas drejtësisë!``

    
 
 

25.

 

Atëherë disa nga Jeruzalemi thanë: ``A nuk është ky ai që kërkojnë ta vrasin?

    
 
 

26.

 

E megjithatë ja, ai po flet lirisht dhe nuk i thonë asgjë; mos kanë njohur krerët me të vërtetë se ai është Krishti?

    
 
 

27.

 

Por ne e dimë se nga është ai; ndërsa kur të vijë Krishti, askush nuk do ta dijë se nga është``.

    
 
 

28.

 

Atëherë Jezusi, duke mësuar në tempull, thirri dhe tha: ``Ju më njihni dhe e dini se nga jam, megjithatë unë s`kam ardhur nga vetja, por ai që më ka dërguar është i vërtetë dhe ju nuk e njihni.

    
 
 

29.

 

Por unë atë e njoh, sepse jam nga ai dhe ai më dërgoi``.

    
 
 

30.

 

Prandaj ata kërkonin ta kapnin, por askush nuk vuri dorë mbi të, sepse ora e tij s`kishte ardhur akoma.

    
 
 

31.

 

Por shumë veta nga turma besuan në të dhe thoshnin: ``Kur të vijë Krishti, a do të bëjë më shumë shenja se këto që ka bërë ky?``.

    
 
 

32.

 

Farisenjtë dëgjuan turmën duke pëshpëritur këto gjëra për të; prandaj farisenjtë dhe krerët e priftërinjve dërguan roje për ta kapur.

    
 
 

33.

 

Atëherë Jezusi u tha atyre: ``Unë jam edhe për pak kohë me ju, pastaj do të shkoj tek ai që më ka dërguar.

    
 
 

34.

 

Do të më kërkoni e nuk do të më gjeni; dhe atje ku do të jem unë, ju nuk do të mund të vini``.

    
 
 

35.

 

Prandaj Judenjtë thonin në mes tyre: ``Ku do të shkojë ky që ne nuk do ta gjejmë? Mos do të shkojë tek ata që janë shpërndarë midis Grekëve, dhe të mësojë Grekët?

    
 
 

36.

 

Çfarë deshi të thoshte kur tha: "Ju do të më kërkoni dhe nuk do të më gjeni"; dhe: "Atje ku do të jem unë, ju nuk mund të vini"?``.

    
 
 

37.

 

Ditën e fundit, në ditën e madhe të festës, Jezusi u çua në këmbë dhe thirri duke thënë: ``Nëse dikush ka etje, le të vijë tek unë e të pijë.

    
 
 

38.

 

Ai që beson në mua, siç ka thënë Shkrimi, nga brendësia e tij do të burojnë lumenj uji të gjallë``.

    
 
 

39.

 

Por këtë ai e tha për Frymën, që do të merrnin ata që do të besonin në të; sepse Fryma e Shenjtë në fakt nuk ishte dhënë ende, sepse Jezusi ende nuk ishte përlëvduar.

    
 
 

40.

 

Shumë veta nga turma, kur i dëgjuan këto fjalë, thoshnin: ``Ky është me të vërtetë Profeti!``.

    
 
 

41.

 

Të tjerë thoshnin: ``Ky është Krishti``. Kurse të tjerë thoshnin: ``Vallë nga Galilea vjen Krishti?

    
 
 

42.

 

A nuk thotë Shkrimi se Krishti vjen nga pasardhja e Davidit dhe nga Bethlehemi, fshati ku jetonte Davidi?``.

    
 
 

43.

 

Kështu pati përçarje në turmë për shkak të tij.

    
 
 

44.

 

Dhe disa prej tyre donin ta kapnin, por askush nuk vuri dorë mbi të.

    
 
 

45.

 

Atëherë rojet u kthyen te krerët e priftërinjve dhe te farisenjtë, dhe këta u thanë atyre: ``Pse nuk e sollët?``.

    
 
 

46.

 

Rojet u përgjigjen: ``Asnjeri nuk ka folur kurrë si ai njeri``.

    
 
 

47.

 

Prandaj farisenjtë iu përgjigjën atyre: ``Mos u gënjyet edhe ju?

    
 
 

48.

 

Mos vallë ndonjë nga krerët ose nga farisenjtë besoi në të?

    
 
 

49.

 

Por kjo turmë, që nuk e njeh ligjin, është e mallkuar``.

    
 
 

50.

 

Nikodemi, një prej tyre, i cili natën kishte shkuar te Jezusi, u tha atyre:

    
 
 

51.

 

``Ligji ynë dënon vallë një njeri para se ta ketë dëgjuar dhe ta dijë ç`ka bërë ai?``.

    
 
 

52.

 

Ata u përgjigjën dhe i thanë: ``Mos je edhe ti nga Galilea? Hulumto Shkrimet dhe do të shohësh se nga Galilea s`ka dalë kurrë profet``.

    
 
 

53.

 

Dhe secili u kthye në shtëpinë e vet.

    
 
 

Gjoni 8

 

 

 

 

 
 
HTMLBible Software - by johnhurt.com