Albanian Bible

Marku 14

Marku

Return to Index

Chapter 15

1

 

   Dhe herët në mëngjes krerët e priftërinjve me pleqtë, skribët dhe gjithë sinedrit bënin këshill, e lidhën Jezusin e çuan jashtë e ia dorëzuan Pilatit.  

 

 


2

 

   Dhe Pilati e pyeti: ``A je ti mbreti i Judenjve?``. Dhe ai, duke u përgjigjur, i tha: ``Ti e thua!``.  

 

 


3

 

   Dhe krerët e priftërinjve e akuzonin për shumë gjëra; por ai nuk përgjigjej aspak.  

 

 


4

 

   Pilati e pyeti përsëri, duke thënë: ``Nuk po përgjigjesh fare? Shih për sa gjëra të akuzojnë!``.  

 

 


5

 

   Por Jezusi nuk u përgjigj më asgjë, aq sa Pilati mbeti i çuditur.  

 

 


6

 

   Dhe në çdo festë ishte zakon t`u lëshohej atyre një i burgosur, këdo që ata do kërkonin.  

 

 


7

 

   Por ishte në burg një njeri që quhej Baraba, bashkë me shokë të tjerë rebelë, të cilët kishin bërë një vrasje gjatë një kryengritjeje.  

 

 


8

 

   Dhe turma, duke bërtitur, filloi të kërkojë që të bënte ashtu siç kishte vepruar gjithnjë për ta.  

 

 


9

 

   Atëherë Pilati iu përgjigj atyre duke thënë: ``A doni t`ju liroj mbretin e Judenjve?``.  

 

 


10

 

   Sepse e dinte që krerët e priftërinjve ia kishin dorëzuar nga smira.  

 

 


11

 

   Por krerët e priftërinjve e nxitën turmën që të kërkojë që t`u lironte atyre Barabanë.  

 

 


12

 

   Dhe Pilati e mori përsëri fjalën dhe u tha atyre: ``Çfarë doni, pra, të bëj me atë që ju e quani mbret të Judenjve?``.  

 

 


13

 

   Dhe ata bërtitën përsëri: ``Kryqëzoje!``.  

 

 


14

 

   Dhe Pilati u tha atyre: ``Po ç`të keqe ka bërë?``. Atëherë ata bërtitën edhe më fort: ``Kryqëzoje!``.  

 

 


15

 

   Prandaj Pilati, duke dashur ta kënaqë turmën, ua lëshoi Barabanë. Dhe, mbasi e fshikulluan Jezusin, ua dorëzoi atyre që të kryqëzohej.  

 

 


16

 

   Atëherë ushtarët e çuan Jezusin në oborrin e brendshëm domëthënë në pretorium, dhe mblodhën gjithë kohortën.  

 

 


17

 

   E veshën në purpur dhe, si thurën një kurorë me ferra, ia vunë mbi krye.  

 

 


18

 

   Pastaj nisën ta përshëndesin duke i thënë: ``Tungjatjeta, o mbret i Judenjve!``.  

 

 


19

 

   Dhe e goditnin në krye me një kallam, e pështynin dhe, duke u gjunjëzuar përpara tij, e adhuronin.  

 

 


20

 

   Pasi e tallën, ia hoqen purpurën, e veshën me rrobat e tij dhe e nxorën jashtë për ta kryqëzuar.  

 

 


21

 

   Ata e detyruan një kalimtar, një farë Simoni nga Kirena që kthehej nga ara, babai i Aleksandrit dhe i Rufit, që ta mbante kryqin e tij.  

 

 


22

 

   Pastaj e çuan Jezusin në vendin të quajtur Golgota, që do të thotë: "Vendi i Kafkës".  

 

 


23

 

   I dhanë të pijë verë të përzier me mirrë, por ai nuk e mori.  

 

 


24

 

   Dhe, pasi e kryqëzuan, i ndanë rrobat e tij duke hedhur short, për të ditur çfarë do t`i binte secilit.  

 

 


25

 

   Ishte ora e tretë kur e kryqëzuan.  

 

 


26

 

   Dhe mbishkrimi që tregonte shkakun e dënimit, i cili ishte vënë përmbi të, thoshte: "Mbreti i Judenjve".  

 

 


27

 

   Bashkë me të kryqëzuan edhe dy vjedhës, njërin në të djathtën e tij dhe tjetrin në të majtën e tij.  

 

 


28

 

   Kështu u përmbush Shkrimi që thotë: ``Ai u përfshi ndër keqbërësit``.  

 

 


29

 

   Dhe ata që kalonin aty afër e fyenin, duke tundur kokën, dhe duke thënë: ``Hej, ti që e shkatërron tempullin dhe e rindërton në tre ditë,  

 

 


30

 

   shpëto veten tënde dhe zbrit nga kryqi!``.  

 

 


31

 

   Po ashtu edhe krerët e priftërinjve me skribët, duke e tallur, i thoshnin njeri tjetrit: ``Të tjerët i shpëtoi, por veten s`mund ta shpëtojë.  

 

 


32

 

   Krishti, mbreti i Izraelit, le të zbresë tani nga kryqi që ta shohim dhe ta besojmë``. Edhe ata që ishin kryqëzuar bashkë me të, e fyenin atë.  

 

 


33

 

   Pastaj, kur erdhi e gjashta orë, errësira e mbuloi gjithë vendin deri në të nëntën orë.  

 

 


34

 

   Dhe në të nëntën orë Jezusi bërtiti me zë të lartë: ``Eloi, Eloi; lama sabaktani?``, që e përkthyer do të thotë: ``Perëndia im, Perëndia im, përse më ke braktisur?``.  

 

 


35

 

   Dhe disa nga të pranishmit, kur e dëgjuan, thoshnin: ``Ja, ai po thërret Elian!``.  

 

 


36

 

   Atëherë një prej tyre erdhi me vrap, e zhyti një sfungjer në uthull dhe, mbasi e vuri në një kallam, ia dha të pijë, duke thënë: ``Lëreni; të shohim nëse vjen Elia që ta zbresë poshtë``.  

 

 


37

 

   Por Jezusi, si lëshoi një britmë të madhe, dha frymën.  

 

 


38

 

   Atëherë veli i tempullit u ça më dysh nga maja deri në fund.  

 

 


39

 

   Dhe centurioni që qëndronte përballë Jezusit, kur pa se, pasi Jezusi bërtiti ashtu, kishte dhënë shpirt, tha: ``Me të vërtetë ky njeri ishte Biri i Perëndisë!``.  

 

 


40

 

   Aty ishin gjithashtu edhe gra që shikonin nga larg; midis tyre ishin Maria Magdalena dhe Maria, nëna e Jakobit të vogël të Joses dhe Salomeja,  

 

 


41

 

   të cilat e kishin ndjekur dhe i kishin shërbyer kur ishte në Galile; dhe kishte edhe shumë të tjera që ishin ngjitur bashkë me të në Jeruzalem.  

 

 


42

 

   Pastaj, u afrua tashmë mbrëmja, sepse ishte Përgatitja, domethënë vigjilja e së shtunës,  

 

 


43

 

   Jozefi nga Arimatea, një këshilltar i respektuar, i cili priste edhe ai mbretërinë e Perëndisë, me guxim hyri te Pilati dhe kërkoi trupin e Jezusit.  

 

 


44

 

   Dhe Pilati u çudit që tashmë kishte vdekur. Dhe thirri centurionin dhe e pyeti nëse kishte vdekur prej shumë kohe.  

 

 


45

 

   Dhe si u sigurua nga centurioni, ia la trupin Jozefit.  

 

 


46

 

   Ky, mbasi bleu një çarçaf, e zbriti Jezusin nga kryqi, e mbështolli në çarçaf dhe e vuri në një varr që ishte hapur në shkëmb; pastaj rrokullisi një gur para hyrjes së varrit.  

 

 


47

 

   Dhe Maria Magdalena dhe Maria, nëna e Joses, vërenin ku e vunë.  

 

 


Marku 16

 

 

 

 

HTMLBible Software - Public Domain Software by johnhurt.com

 


Other Items are Available At These Sites: