Bibla e Shenjtë - Albanian Bible

 

Marku

 

Kapitulli 7

 

 

1.

 

Atëherë rreth tij u mblodhën farisenjtë dhe disa skribë që kishin ardhur nga Jeruzalemi.

    
 
 

2.

 

Ata vunë re se disa nga dishepujt e tij po hanin bukë me duar të papastra, domethënë të palara, dhe i paditën.

    
 
 

3.

 

Në fakt farisenjtë dhe të gjithë Judenjtë nuk hanë pa i larë më parë me shumë kujdes duart, duke iu përmbajtur traditës së pleqve;

    
 
 

4.

 

dhe, kur kthehen nga tregu, nuk hanë pa u pastruar më parë. Ka shumë gjëra të tjera që ata duhet të respektojnë për shkak të traditës: larjen e kupave, të brokave, të enëve prej bakri dhe të shtretërve.

    
 
 

5.

 

Pastaj farisenjtë dhe skribët e pyetën: ``Përse dishepujt e tu nuk sillen sipas traditës së pleqve, por hanë bukë pa i larë duart?``.

    
 
 

6.

 

Por ai duke u përgjigjur u tha atyre: ``Mirë profetizoi Isaia për ju, hipokritë, siç është shkruar: "Ky popull me buzë më nderon, por zemra e tyre rri larg meje.

    
 
 

7.

 

Por kot më bëjnë një kult, duke mësuar doktrina, të cilat janë porosi nga njerëzit".

    
 
 

8.

 

Duke lënë pas dore, pra, urdhërimin e Perëndisë, ju i përmbaheni traditës së njerëzve: larje brokash dhe kupash; dhe bëni shumë gjëra të tjera të ngjashme``.

    
 
 

9.

 

U tha atyre akoma: ``Ju jeni të shkathët për të anuluar urdhërimin e Perëndisë, për të zbatuar traditën tuaj.

    
 
 

10.

 

E në fakt Moisiu tha: "Ndero atin tënd dhe nënën tënde", dhe: "Ai që mallkon atin ose nënën, të dënohet me vdekje".

    
 
 

11.

 

Por ju thoni: "Në qoftë se dikush i thotë atit të vet ose nënës së vet: Gjithçka që mund të bëjë për ty është kurban, domethënë një ofertë Perëndisë",

    
 
 

12.

 

nuk e lejoni atë të bëjë asgjë për atin e vet ose për nënën e vet,

    
 
 

13.

 

duke e anuluar kështu fjalën e Perëndisë me traditën tuaj, që ju e keni trashëguar. Dhe ju po bëni shumë gjëra të tjera të ngjashme``.

    
 
 

14.

 

Pastaj thirri gjithë turmën rreth vetes dhe i tha: ``Më dëgjoni të gjithë dhe kuptoni:

    
 
 

15.

 

Nuk ka asgjë jashtë njeriut që, duke hyrë në të, mund ta ndotë atë; përkundrazi janë ato gjëra që dalin prej tij që e ndotin.

    
 
 

16.

 

Kush ka veshë për të dëgjuar, le të dëgjojë!

    
 
 

17.

 

Më pas, kur ai u kthye në shtëpi, larg turmës, dishepujt e vet e pyetën për kuptimin e shëmbëlltyrës.

    
 
 

18.

 

Dhe ai u tha atyre: ``Edhe ju qënkeni kaq të pamend? A nuk e kuptoni se çdo gjë që nga jashtë hyn te njeriu nuk mund ta ndotë,

    
 
 

19.

 

sepse nuk i hyn në zemër, por në bark, dhe pastaj jashtëqitet në gjiriz?``. Duke folur kështu, ai i deklaroi të pastra të gjitha ushqimet.

    
 
 

20.

 

Tha akoma: ``Ajo që del nga njeriu, e bën atë të ndotur.

    
 
 

21.

 

Sepse nga brenda, domethënë nga zemra e njeriut, dalin mendimet e mbrapshta, shkeljet e kurorës, kurvërimi, vrasjet,

    
 
 

22.

 

vjedhjet, lakmitë, ligësitë, mashtrimet, pafytyrësia, smira, blasfemia, kryelartësia, budallallëku.

    
 
 

23.

 

Të gjitha këto të mbrapshta dalin nga brenda dhe e ndotin njeriut``.

    
 
 

24.

 

Pastaj u nis që andej dhe shkoi në krahinën e Tiros dhe të Sidonit; hyri në një shtëpi dhe donte që askush të mos e dinte, por nuk mundi të qëndrojë i fshehur.

    
 
 

25.

 

Në fakt një grua, vajza e së cilës kishte një frymë e ndyrë, duke dëgjuar për Jezusin, erdhi dhe u hodh para këmbëve të tij.

    
 
 

26.

 

Tani ajo grua ishte greke, me prejardhje sirofenikase; dhe iu lut që ta dëbonte demonin nga e bija;

    
 
 

27.

 

por Jezusi i tha: ``Lëri më parë fëmijët të ngopen, sepse nuk është mirë të merret buka e fëmijëve e t`u hidhet këlyshëve të qenve``.

    
 
 

28.

 

Por ajo u përgjigj dhe i tha: ``Mirë po flet, o Zot, por edhe këlyshët nën tryezë hanë thërimet e fëmijëve!``

    
 
 

29.

 

Atëherë ai i tha: ``Për këtë fjalën tënde, shko; demoni doli nga vajza jote!``.

    
 
 

30.

 

Dhe ajo, kur u kthye në shtëpinë e vet, e gjeti të bijën në shtrat, dhe demoni i kishte dalë.

    
 
 

31.

 

Mbasi u nis përsëri nga krahina e Tiros dhe e Sidonit, Jezusi arriti te deti i Galilesë, në mes të krahinës së Dekapolit.

    
 
 

32.

 

Dhe i paraqitën një të shurdhët që mezi fliste, dhe iu lutën t`i vërë duart mbi të.

    
 
 

33.

 

Si e mori veçmas, larg turmës, ia shtiu gishtrinjtë në vesh dhe mbasi e pështyu ia preku gjuhën.

    
 
 

34.

 

Pastaj i drejtoi sytë nga qielli, psherëtiu dhe i tha: ``Effatha``, që do të thotë: ``Hapu!``.

    
 
 

35.

 

Dhe menjëherë iu hapën veshët, iu zgjidh nyja e gjuhës dhe foli rrjedhshëm.

    
 
 

36.

 

Dhe Jezusi i urdhëroi ata që të mos i tregojnë askujt; por sa më tepër ua ndalonte, aq më tepër ata e përhapnin.

    
 
 

37.

 

Dhe, të habitur shumë, thonin: ``Ai çdo gjë e ka bërë mirë: ai i bën që të shurdhët të dëgjojnë dhe memecët të flasin!``.

    
 
 

Marku 8

 

 

 

 

 
 
HTMLBible Software - by johnhurt.com