Bibla e Shenjtë - Albanian Bible

 

Marku

 

Kapitulli 2

 

 

1.

 

Pas disa ditësh, ai erdhi përsëri në Kapernaum dhe u muar vesh se ai gjendej në shtëpi;

    
 
 

2.

 

dhe menjëherë u mblodhën aq shumë njerëz, sa nuk gjeje më vend as përpara derës; dhe ai u predikonte Fjalën.

    
 
 

3.

 

Atëhërë i erdhën disa që i paraqitën një të paralizuar, që po e bartnin katër vetë.

    
 
 

4.

 

Por, duke qenë se nuk mund t`i afroheshin për shkak të turmës, zbuluan çatinë në vendin ku ndodhej Jezusi dhe, mbasi hapën një vrimë, e lëshuan vigun mbi të cilin rrinte shtrirë i paralizuari.

    
 
 

5.

 

Jezusi, kur pa besimin e tyre, i tha të paralizuarit: ``O bir, mëkatet e tua të janë falur!``.

    
 
 

6.

 

Por aty po rrinin ulur disa shkribë, të cilët, në zemër të vet, po mendonin:

    
 
 

7.

 

``Pse vallë ky po flet blasfemi. Kush mund të falë mëkatet, veç Perëndisë vetë?``.

    
 
 

8.

 

Por Jezusi, i cili menjëherë kuptoi në frymën e vet se ata po i mendonin këto gjëra në veten e tyre, u tha atyre: ``Pse i mendoni këto gjëra në zemrat tuaja?

    
 
 

9.

 

Çfarë është më lehtë: t`i thuash të paralizuarit: "Mëkatet e tua të janë falur", apo t`i thuash: "Çohu, merre vigun tënd dhe ec"?

    
 
 

10.

 

Dhe tani, që ta dini se Biri i njeriut ka pushtet të falë mëkatët mbi dhe,

    
 
 

11.

 

unë po të them (i tha të paralizuarit): Çohu, merre vigun tënd dhe shko në shtëpinë tënde!"``.

    
 
 

12.

 

Dhe ai u ngrit menjëherë, mori vigun e vet dhe doli përjashta në praninë e të gjithëve dhe kështu të gjithë u habitën dhe lëvduan Perëndinë duke thënë: ``Një gjë të tillë s`e kemi parë kurrë!``.

    
 
 

13.

 

Jezusi doli përsëri gjatë bregut të detit dhe gjithë turma erdhi tek ai dhe ai e mësonte.

    
 
 

14.

 

Duke kaluar, pa Levin, birin e Alfeut, i cili qe ulur në vendin e tatimeve, dhe i tha: ``Ndiqmë!``. Ai u ngrit dhe e ndoqi.

    
 
 

15.

 

Dhe ndodhi që, kur Jezusi ishte në tryezë në shtëpinë e Levit, shumë tagrambledhës dhe mëkatarë u ulën në tryezë me Jezusin dhe me dishepujt e tij; në fakt ishin shumë ata që e ndiqnin.

    
 
 

16.

 

Atëhërë skribët dhe farisenjtë, duke e parë se po hante me tagrambledhës dhe me mëkatarë, u thanë dishepujve të tij: ``Qysh ha dhe pi ai bashkë me tagrambledhës e me mëkatarë?``.

    
 
 

17.

 

Dhe Jezusi, kur e dëgjoi, u tha atyre: ``Nuk janë të shëndoshet që kanë nevojë për mjekun, por të sëmurët; unë nuk erdha për të thirrur të drejtët, por mëkatarët për pendim.

    
 
 

18.

 

Atëherë dishepujt e Gjonit dhe ata të farisenjve po agjëronin. Ata erdhen te Jezusi dhe i thanë: ``Përse dishepujt e Gjonit dhe ata të farisenjve agjërojnë, kurse dishepujt e tu nuk agjërojnë?``.

    
 
 

19.

 

Dhe Jezusi u përgjigj atyre: ``Vallë a mund të agjërojnë dasmorët, ndërsa dhëndri është me ta? Për sa kohë kanë më vete dhëndrin, nuk mund të agjërojnë!

    
 
 

20.

 

Por do të vijnë ditët kur do t`u merret dhëndri dhe atëhërë, në ato ditë, ata do të agjërojnë.

    
 
 

21.

 

Askush nuk qep një copë stof të ri mbi një rrobe të vjetër, përndryshe copa e re e shkul gjithë arnesën dhe shqyerja bëhet më keq.

    
 
 

22.

 

Po ashtu askush nuk shtie verë të re në kacekë të vjetër, përndryshe vera e re i prish kacekët, vera derdhet dhe kacekët shkojnë dëm; porse vera e re duhet shtënë në kacekë të rinj``.

    
 
 

23.

 

Por ndodhi që një ditë të shtunë ai po kalonte nëpër ara dhe dishepujt e tij, duke kaluar, filluan të këpusin kallinj.

    
 
 

24.

 

Dhe farisenjtë i thanë: ``Shih, përse po bëjnë atë që nuk është e ligjshme ditën e shtunë?``.

    
 
 

25.

 

Por ai u tha atyre: ``A nuk keni lexuar vallë ç`bëri Davidi, kur pati nevojë dhe kishte uri, ai dhe ç`qenë me të?``.

    
 
 

26.

 

Se si hyri ai në shtëpinë e Perëndisë në kohën e kryepriftit Abiathar, dhe hëngri bukët e paraqitjes, të cilat nuk lejohet t`i hajë askush, përveç priftërinjve, dhe u dha edhe atyre që qenë me të?``.

    
 
 

27.

 

Pastaj u tha atyre: ``E shtuna është bërë për njeriun dhe jo njeriu për të shtunën.

    
 
 

28.

 

Prandaj Biri i njeriut është zot edhe i së shtunës``.

    
 
 

Marku 3

 

 

 

 

 
 
HTMLBible Software - by johnhurt.com