Bibla e Shenjtë - Albanian Bible

 

Mateu

 

Kapitulli 17

 

 

1.

 

Mbas gjashtë ditësh Jezusi mori me vete Pjetrin, Jakobin dhe Gjonin, vëllanë e tij, dhe i çoi mbi një mal të lartë, në vetmi;

    
 
 

2.

 

dhe u shpërfytyrua përpara tyre: fytyra e tij shkëlqeu si dielli dhe rrobat e tij u bënë të bardha si drita.

    
 
 

3.

 

Dhe ja, iu shfaqën atyre Moisiu dhe Elia, të cilët bisedonin me të.

    
 
 

4.

 

Atëherë Pjetri, duke marrë fjalën, i tha Jezusit: ``Zot, është mirë që ne jemi këtu; po të duash, do të ngremë këtu tri çadra: një për ty, një për Moisiun dhe një për Elian``.

    
 
 

5.

 

Ndërsa ai fliste akoma, ja një re plot dritë i mbuloi; dhe nga reja u dëgjua një zë që thoshte: ``Ky është Biri im i dashur, në të jam kënaqur: dëgjojeni!``.

    
 
 

6.

 

Dhe dishepujt, sapo e dëgjuan këtë, ranë me fytyrë për tokë dhe i zuri një frikë e madhe.

    
 
 

7.

 

Por Jezusi u afrua, i preku dhe tha: ``Çohuni dhe mos kini frikë!``.

    
 
 

8.

 

Dhe ata, kur i çuan sytë, nuk panë njeri, përveç Jezusit vetëm.

    
 
 

9.

 

Pastaj, kur po zbrisnin nga mali, Jezusi u dha atyre këtë urdhër duke thënë: ``Mos i flisni askujt për këtë vegim, derisa i Biri i njeriut të jetë ringjallur prej së vdekuri``.

    
 
 

10.

 

Atëherë dishepujt e tij e pyetën duke thënë: ``Vallë pse skribët thonë se duhet të vijë më parë Elia?``.

    
 
 

11.

 

Dhe Jezusi u përgjigj: ``Vërtetë Elia duhet të vijë më parë dhe të rivendosë çdo gjë.

    
 
 

12.

 

Por unë ju them se Elia ka ardhur dhe ata nuk e kanë njohur, madje u sollën me të si deshën; kështu edhe Birit të njeriut do t`i duhet të vuajë prej tyre``.

    
 
 

13.

 

Atëherë dishepujt e kuptuan se u kishte folur për Gjon Pagëzorin.

    
 
 

14.

 

Kur arritën afër turmës, një burrë iu afrua dhe, duke u gjunjëzuar para tij,

    
 
 

15.

 

tha: ``Zot, ki mëshirë për birin tim, sepse është epileptik dhe vuan shumë; shpesh ai bie në zjarr dhe shpesh në ujë.

    
 
 

16.

 

Tani unë e solla te dishepujt e tu, por ata nuk mundën ta shërojnë``.

    
 
 

17.

 

Dhe Jezusi duke u përgjigjur tha: ``O brez që nuk beson dhe i çoroditur! Deri kur do të qëndroj midis jush? Deri kur do t`ju duroj? E sillni këtu tek unë``.

    
 
 

18.

 

Atëherë Jezusi e qortoi demonin dhe ky doli nga djali; dhe që nga ai çast djali u shërua.

    
 
 

19.

 

Atëherë dishepujt iu afruan Jezusit mënjanë dhe i thanë: ``Përse ne nuk ishim në gjendje ta dëbonim?``.

    
 
 

20.

 

Dhe Jezusi u tha atyre: ``Prej mosbesimit tuaj; sepse në të vërtetë, unë po ju them, se po të keni besim sa një kokërr sinapi, do t`i thoni këtij mali: "Zhvendosu nga këtu atje", dhe ai do të zhvendoset; dhe asgjë nuk do të jetë e pamundshme për ju.

    
 
 

21.

 

Por ky lloji demoni nuk del veçse me anë të lutjes dhe të agjërimit``.

    
 
 

22.

 

Por, ndërsa ata qëndronin në Galile, Jezusi u tha atyre: ``Biri i njeriut do t`u dorëzohet në duart e njerëzve,

    
 
 

23.

 

dhe ata do ta vrasin; por ditën e tretë ai do të ringjallet``. Dhe ata u pikëlluan shumë.

    
 
 

24.

 

Kur arritën në Kapernaum, vjelësit e të drahmeve iu afruan Pjetrit dhe thanë: ``Mësuesi juaj a e paguan taksën e tempullit?``.

    
 
 

25.

 

Ai tha: ``Po``. Kur hyri në shtëpi, Jezusi e priti përpara duke thënë: ``Ç`mendon ti, Simon? Prej kujt i marrin haraçet ose taksat mbretërit e dheut? Prej bijve të vet apo prej të huajve?``.

    
 
 

26.

 

Pjetri i tha: ``Prej të huajve``. Jezusi tha: ``Bijtë, pra, përjashtohen.

    
 
 

27.

 

Megjithatë, për të mos i skandalizuar ata, shko në det, hidhe grepin dhe merr peshkun e parë që do vijë lart, hapja gojën dhe do të gjesh një staterë; merre dhe jepjau atyre për ty dhe për mua``.

    
 
 

Mateu 18

 

 

 

 

 
 
HTMLBible Software - by johnhurt.com