Bibla e Shenjtë - Albanian Bible

 

Amosi

 

Kapitulli 3

 

 

1.

 

Dëgjoni këtë fjalë që Zoti ka shqiptuar kundër jush, o bij të Izraelit, kundër tërë familjes që nxora nga vendi i Egjiptit:

    
 
 

2.

 

"Vetëm ju kam njohur midis tërë familjeve të dheut; prandaj unë do t`ju ndëshkoj për të gjitha paudhësitë tuaja".

    
 
 

3.

 

A mund të ecin bashkë dy veta, në rast se nuk janë marrë vesh më parë?

    
 
 

4.

 

A vrumbullon luani në pyll në rast se nuk ka një gjah përpara? A do ta ngrerë zërin luani i vogël nga strofka e i tij në rast se nuk ka kapur diçka?

    
 
 

5.

 

A bie vallë zogu në një kurth në tokë, po të mos i jetë vënë një lak? A shkrehet kurthi nga toka, në rast se nuk ka zënë diçka?

    
 
 

6.

 

Në rast se në qytet i bien borisë, a nuk do të trembet vallë populli? Në rast se në një qytet ndodh një fatkeqësi, a nuk e ka shkaktuar vallë Zoti?

    
 
 

7.

 

Sepse Zoti, Zoti, nuk bën asgjë, pa ua treguar sekretin e tij shërbëtorëve të tij, profetëve.

    
 
 

8.

 

Luani vrumbulloi, kush nuk do të ketë frikë? Zoti, Zoti, foli, kush nuk do të profetizojë?

    
 
 

9.

 

"Bëjeni të dëgjohet në pallatet e Ashdodit dhe në pallatet e vendit të Egjiptit dhe thoni: Mblidhuni në malet e Samarisë dhe shikoni sa parregullsi ka në mes të saj dhe shtypje brenda saj.

    
 
 

10.

 

Ata nuk dinë të bëjnë atë që është e drejtë, thotë Zoti, në pallatet e tyre grumbullojnë dhunë dhe grabitje".

    
 
 

11.

 

Prandaj, kështu thotë Zoti, Zoti: "Armiku do të rrethojë nga çdo anë vendin, do të shembë fuqinë tënde dhe pallatet e tua do të plaçkiten".

    
 
 

12.

 

Kështu thotë Zoti: "Ashtu si një bari shkëput nga goja e luanit dy këmbë ose një copë veshi, kështu do të shkëputen bijtë e Izraelit që në Samari rrinë në cepin e një shtrati ose mbi damaskun e një divani.

    
 
 

13.

 

Dëgjoni dhe dëshmojeni në shtëpinë e Jakobit", thotë Zoti, Zoti, Perëndia i ushtrive,

    
 
 

14.

 

"ditën në të cilën unë do të ndëshkoj Izraelin për shkeljet e tij, do të ndëshkoj edhe altarët e Bethelit; brirët e altarit do të copëtohen dhe do të bien për tokë.

    
 
 

15.

 

Do të godas shtëpitë e dimrit bashkë me shtëpitë e verës; shtëpitë prej fildishi do të shkatërrohen dhe shtëpitë e mëdha do të zhduken", thotë Zoti.

    
 
 

Amosi 4

 

 

 

 

 
 
HTMLBible Software - by johnhurt.com