Bibla e Shenjtë - Albanian Bible

 

Isaia

 

Kapitulli 56

 

 

1.

 

Kështu thotë Zoti: "Respektoni të drejtën dhe zbatoni drejtësinë, sepse shpëtimi im është duke ardhur dhe drejtësia ime do të shfaqet.

    
 
 

2.

 

Lum njeriu që vepron kështu dhe biri i njeriut që i përmbahet kësaj, që respekton të shtunën pa e përdhosur dhe që e përmban dorën e tij nga kryerja e çfarëdo veprimi të keq".

    
 
 

3.

 

Të mos thotë biri i të huajit që është bashkuar me Zotin: "Zoti me siguri më ka përjashtuar nga populli i tij". Dhe të mos thotë eunuku: "Ja, unë jam një dru i thatë".

    
 
 

4.

 

Sepse kështu thotë Zoti: "Eunukët që respektojnë të shtunat e mia, që zgjedhin atë që më pëlqen mua dhe që i përmbahen me vendosmëri besëlidhjes sime,

    
 
 

5.

 

do t`u jap atyre në shtëpinë time dhe brenda mureve të mia një vend dhe një emër, që do të vlejë më tepër nga ai i bijve dhe i bijave; do t`u jap atyre një emër të përjetshëm që nuk do të fshihet kurrë.

    
 
 

6.

 

Bijtë e të huajve që janë bashkuar me Zotin për t`i shërbyer, për të dashur emrin e Zotit dhe për të qenë shërbëtorë të tij, tërë ata që respektojnë të shtunën pa e përdhosur dhe që i përmbahen me vendosmëri besëlidhjes sime,

    
 
 

7.

 

do t`i çoj në malin tim të shenjtë dhe do t`i mbush me gëzim në shtëpinë time të lutjes; olokaustet e tyre dhe flijimet e tyre do të pëlqehen mbi altarin tim, sepse shtëpia ime do të quhet shtëpi lutjeje për të gjithë popujt".

    
 
 

8.

 

Zoti, Zoti, që i mbledh të shpërndarit e Izraelit, thotë: "Unë do të mbledh rreth tij edhe të tjerë, përveç atyre që kam mbledhur".

    
 
 

9.

 

O ju mbarë, kafshë të fushave, ejani për të ngrënë; ejani, ju mbarë kafshë të pyllit!

    
 
 

10.

 

Rojtarët e tyre janë të verbër, janë të gjithë të paditur, janë të gjithë qen memecë, të paaftë të lehin; shohin ëndrra, rrinë shtrirë, u pëlqen të dremitin.

    
 
 

11.

 

Janë qen llupës, që nuk ngopen kurrë, janë barinj që nuk kuptojnë asgjë; ndjekin të gjithë rrugën e tyre, secili shikon interesin e vet, për llogari të vet.

    
 
 

12.

 

"Ejani", thonë, "do të marr verë dhe do të dehemi me pije dehëse; nesër do të jetë si sot, madje shumë më mirë.

    
 
 

Isaia 57

 

 

 

 

 
 
HTMLBible Software - by johnhurt.com