Bibla e Shenjtë - Albanian Bible

 

Fjalët e urta

 

Kapitulli 18

 

 

1.

 

Kush veçohet kërkon kënaqësinë e tij dhe zemërohet kundër gjithë diturisë së vërtetë.

    
 
 

2.

 

Budallai nuk gjen kënaqësi te maturia, por vetëm në të vënit në dukje të zemrës së tij.

    
 
 

3.

 

Kur vjen i pabesi vjen edhe përçmimi dhe bashkë me humbjen e nderit vjen turpi.

    
 
 

4.

 

Fjalët e gojës së një njeriu janë ujëra të thella; burimi i diturisë është si një rrjedhë uji që shkon duke gurgulluar.

    
 
 

5.

 

Nuk është mirë të preferosh të pabesin, apo të shkaktosh humbjen e të drejtit në gjyq.

    
 
 

6.

 

Buzët e budallait të çojnë në grindje, dhe goja e tij kërkon goditje.

    
 
 

7.

 

Goja e budallait është shkatërrimi i tij dhe buzët e tij janë një lak për jetën e tij.

    
 
 

8.

 

Fjalët e shpifësit janë si një gjellë shumë e shijshme që zbret thellë në zorrë.

    
 
 

9.

 

Edhe ai që është përtac në punën e tij është vëlla i planprishësit.

    
 
 

10.

 

Emri i Zotit është një kala e fortë, tek ai turret i drejti dhe gjen siguri.

    
 
 

11.

 

Pasuria e kamësit është qyteti i tij i fortë dhe simbas mendimit të tij ajo është si një mur i lartë.

    
 
 

12.

 

Përpara shkatërrimit, zemra e njeriut ngrihet, por para lavdisë vjen përulësia.

    
 
 

13.

 

Kush jep përgjigje për një çështje para se ta ketë dëgjuar, tregon marrëzinë e tij për turp të vet.

    
 
 

14.

 

Fryma e njeriut i jep krahë në sëmundjen e tij, por kush mund ta ngrerë një frymë të demoralizuar?

    
 
 

15.

 

Zemra e njeriut të matur fiton dituri, edhe veshi i të urtëve kërkon diturinë.

    
 
 

16.

 

Dhurata e njeriut i hap rrugën dhe e çon në prani të të mëdhenjve.

    
 
 

17.

 

I pari që mbron çështjen e vet duket sikur ka të drejtë; por pastaj vjen tjetri dhe e shqyrton.

    
 
 

18.

 

Fati u jep fund grindjeve dhe i ndan të fuqishmit.

    
 
 

19.

 

Një vëlla i fyer është si një qytet i fortë; dhe grindjet janë si shulat e një kalaje.

    
 
 

20.

 

Njeriu e ngop barkun me frytin e gojës së tij, ai ngopet me prodhimin e buzëve të tij.

    
 
 

21.

 

Vdekja dhe jeta janë nën pushtetin e gjuhës; ata që e duan do të hanë frytet e saj.

    
 
 

22.

 

Kush ka gjetur grua ka gjetur një gjë të mirë dhe ka siguruar një favor nga Zoti.

    
 
 

23.

 

I varfëri flet duke u lutur, kurse i pasuri përgjigjet me ashpërsi.

    
 
 

24.

 

Njeriu që ka shumë miq duhet gjithashtu të tregohet mik, por është një mik që është më i lidhur se një vëlla.

    
 
 
 
 
HTMLBible Software - by johnhurt.com