Bibla e Shenjtë - Albanian Bible

 

Psalmet

 

Kapitulli 135

 

 

1.

 

Aleluja. Lëvdoni emrin e Zotit, lëvdojeni, o shërbëtorë të Zotit,

    
 
 

2.

 

që rrini në shtëpinë e Zotit, në oborret e shtëpisë së Perëndisë tonë.

    
 
 

3.

 

Lëvdoni Zotin, sepse Zoti është i mirë; i këndoni lavde emrit të tij, sepse ai është i dashur.

    
 
 

4.

 

Sepse Zoti ka zgjedhur për vete Jakobin, dhe Izraelin si thesar të tij të veçantë.

    
 
 

5.

 

Po, unë pranoj që Zoti është i madh dhe që Zoti ynë është përmbi të gjitha perënditë.

    
 
 

6.

 

Zoti bën ç`të dojë në qiell dhe në tokë, në dete dhe në të gjitha humnerat.

    
 
 

7.

 

Ai i larton avujt nga skajet e tokës, prodhon vetëtimat për shiun, e nxjerr erën nga depozitat e tij.

    
 
 

8.

 

Ai i goditi të parëlindurit e Egjiptit, si të njerëzve ashtu edhe të kafshëve,

    
 
 

9.

 

dërgoi shenja dhe mrekulli në mes teje, o Egjipt, mbi Faraonin dhe mbi të gjithë shërbëtorët e tij.

    
 
 

10.

 

Ai goditi kombe të mëdha dhe vrau mbretër të fuqishëm:

    
 
 

11.

 

Sionin, mbretin e Amorejve, Ogun, mbretin e Bashanit, dhe tërë mbretëritë e Kanaanit.

    
 
 

12.

 

Dhe vendet e tyre ua dhe në trashëgimi, në trashëgimi Izraelit, popullit të tij.

    
 
 

13.

 

O Zot, emri yt rron përjetë; kujtimi yt, o Zot, brez pas brezi.

    
 
 

14.

 

Sepse Zoti do t`i sigurojë drejtësinë popullit të tij dhe do të ketë mëshirë për shërbëtorët e tij.

    
 
 

15.

 

Idhujt e kombeve janë argjendi dhe ari, vepra të dorës së njeriut;

    
 
 

16.

 

kanë gojë por nuk flasin, kanë sy por nuk shohin,

    
 
 

17.

 

kanë veshë por nuk dëgjojnë; nuk kanë frymë në gojën e tyre.

    
 
 

18.

 

Të ngjashëm me ta janë ata që i bëjnë, kushdo që ka besim tek ata.

    
 
 

19.

 

Shtëpi e Izraelit, bekoje Zotin; shtëpi e Aaronit, bekoje Zotin.

    
 
 

20.

 

Shtëpi e Levit, bekoje Zotin; ju që keni frikë nga Zoti, bekojeni Zotin.

    
 
 

21.

 

Nga Sioni u bekoftë Zoti, që banon në Jeruzalem. Aleluja.

    
 
 

Psalmet 136

 

 

 

 

 
 
HTMLBible Software - by johnhurt.com