Bibla e Shenjtë - Albanian Bible

 

Psalmet

 

Kapitulli 40

 

 

1.

 

Unë kam pritur me ngulm dhe me durim Zotin, dhe ai u përkul mbi mua dhe dëgjoi britmën time.

    
 
 

2.

 

Më nxorri jashtë një grope shkatërrimi, nga balta e moçalit, i vendosi këmbët e mia mbi një shkëmb dhe i ka bërë të qëndrueshme hapat e mia.

    
 
 

3.

 

Ai vuri në gojën time një kantik të ri për të lëvduar Perëndinë tonë; shumë njerëz kanë për ta parë këtë, do të dridhen dhe do t`i besojnë Zotit.

    
 
 

4.

 

Lum ai njeri që i beson Zotit dhe nuk u drejtohet krenarëve dhe as atyre që marrin rrugë të keqe duke u dhënë pas gënjeshtrës.

    
 
 

5.

 

O Zot, Perëndia im, të shumta janë mrekullitë që ke bërë, dhe askush nuk mund të numërojë gjërat që ke menduar për ne. Po të duhej t`i shpallja dhe t`i tregoja, do të ishin tepër për t`i radhitur.

    
 
 

6.

 

Ti nuk kënaqesh as me flijime as me oferta; më ke shpuar veshët. Ti nuk ke kërkuar as olokauste as flijime për mëkatin.

    
 
 

7.

 

Atëherë unë thashë: "Ja, po vij. Në rrotullin e librit shkruhet për mua.

    
 
 

8.

 

Perëndia im, unë gëzohem kur zbatoj vullnetin tënd dhe ligji yt është në zemrën time".

    
 
 

9.

 

E shpalla drejtësinë tënde në kuvendin e madh; ja, unë nuk i mbaj buzët të mbyllura, o Zot, ti e di këtë.

    
 
 

10.

 

Nuk e kam fshehur drejtësinë tënde në zemrën time; kam shpallur besnikërinë tënde dhe shpëtimin tënd; nuk e kam fshehur mirësinë tënde as të vërtetën tënde para kuvendit të madh.

    
 
 

11.

 

Mos më moho, o Zot, mëshirën zemërbutë; mirësia jote dhe e vërteta jote më mbrofshin gjithnjë.

    
 
 

12.

 

Sepse të këqija të panumërta më rrethojnë; paudhësitë e mia më kanë zënë dhe nuk mund të shikoj; janë më të shumta se flokët e kokës sime, dhe zemra po më ligështohet.

    
 
 

13.

 

Prano, o Zot, të më çlirosh. O Zot, nxito të më ndihmosh.

    
 
 

14.

 

U turpërofshin dhe u pështjellofshin ata që duan të shkatërrojnë jetën time. Rënçin poshtë të mbuluar nga turpi ata që gëzohen me fatkeqësitë e mia.

    
 
 

15.

 

U trëmbshin për turp të tyre ata që më thonë: "Ah, ah...!".

    
 
 

16.

 

U gëzofshin dhe ngazëllofshin te ti të gjithë ata që të kërkojnë, ata që duan shpëtimin tënd thënçin: "Lëvduar qoftë Zoti".

    
 
 

17.

 

Sa për mua, unë jam i varfër dhe nevojtar, por Zoti kujdeset për mua. Ti je mbështetja ime dhe çlirimtari im; Perëndia im, mos u vono.

    
 
 

Psalmet 41

 

 

 

 

 
 
HTMLBible Software - by johnhurt.com