Bibla e Shenjtë - Albanian Bible

 

Ester

 

Kapitulli 4

 

 

1.

 

Kur Mardokeu mësoi të gjitha ato që kishin ndodhur, grisi rrobat e tij, u mbulua me një thes dhe me hi dhe doli nëpër qytet, duke lëshuar britma të forta dhe plot hidhërim;

    
 
 

2.

 

dhe arriti deri te porta e mbretit, sepse nuk lejohej që asnjeri i mbuluar me thes të hynte te porta e mbretit.

    
 
 

3.

 

Në çdo krahinë, ku arritën urdhëri i mbretit dhe dekreti i tij, pati një keqardhje të madhe për Judejtë, me agjerime, me të qara dhe vajtime; dhe shumë njerëz u mbuluan me një thes dhe me hi.

    
 
 

4.

 

Vajzat e Esterit dhe eunukët e saj erdhën t`ia njoftojnë ngjarjen, dhe mbretëresha u angështua shumë; pastaj i dërgoi rroba Mardokeut, që t`i vishte dhe të hiqte nga trupi i tij thesin, por ai nuk i pranoi.

    
 
 

5.

 

Atëherë Esteri thirri Hathakun, njerin nga eunukët e mbretit të caktuar prej tij t`i shërbenin asaj dhe e urdhëroi të shkonte te Mardokeu për të mësuar se çfarë gjë e brengoste dhe për ç`arësye.

    
 
 

6.

 

Kështu Hathaku shkoi te Mardokeu në sheshin e qytetit, që ndodhej përballë portës së mbretit.

    
 
 

7.

 

Mardokeu i tregoi tërë ato që i kishin ndodhur dhe përmëndi gjithashtu shumën e parave që Hamani kishte premtuar të derdhte në thesarin mbretëror për të siguruar shkatërrimin e Judejve;

    
 
 

8.

 

i dha gjithashtu një kopje të tekstit të dekretit që ishte shpallur në Suzë për shfarosjen e tyre, me qëllim që t`ia tregonte Esterit, t`ia shpjegonte asaj dhe ta urdhëronte të shkonte te mbreti për ta lutur me të madhe dhe për të ndërhyrë pranë tij në favor të popullit të tij.

    
 
 

9.

 

Kështu Hathaku u kthye tek Esteri dhe i njoftoi fjalët e Mardokeut.

    
 
 

10.

 

Atëherë Esteri i foli Hathakut dhe e urdhëroi të shkonte e t`i thoshte Mardokeut:

    
 
 

11.

 

"Tërë shërbëtorët e mbretit dhe populli i krahinave të tij e dinë që cilido burrë ose grua që hyn në oborrin e brendshëm për të shkuar te mbreti, pa qenë i thirrur, duhet të dënohet me vdekje, në bazë të një ligji të veçantë, veç po të jetë se mbreti shtrin ndaj tij skeptrin e tij prej ari; vetëm kështu ai do të shpëtojë jetën e tij. Dhe kaluan tanimë tridhjetë ditë që nuk jam thirrur për të shkuar te mbreti".

    
 
 

12.

 

Kështu ia njoftuan Mardokeut fjalët e Esterit,

    
 
 

13.

 

dhe Mardokeu iu përgjigj Esterit: "Mos mendo se do të shpëtosh vetëm ti nga gjithë Judejtë, sepse ndodhesh në pallatin e mbretit.

    
 
 

14.

 

Sepse po të jetë se ti hesht në këtë moment, ndihma dhe çlirimi do të vijnë për Judejtë nga një anë tjetër; por ti dhe shtëpia e atit tënd do të shuheni. Përveç kësaj, kush e di nëse është pikërisht për një kohë të tillë që ti ke arritur në pozitë mbretërore?".

    
 
 

15.

 

Atëherë Esteri urdhëroi t`i përgjigjeshin Mardokeut kështu:

    
 
 

16.

 

"Shko, mblidh tërë Judejtë që ndodhen në Suzë, dhe agjeroni për mua; rrini pa ngrënë dhe pa pirë tri ditë, natë e ditë. Edhe unë me vajzat e mia do të agjerojmë në të njëjtën mënyrë; pastaj do të hyj te mbreti; megjithëse një gjë e tillë është kundër ligjit; dhe në qoftë se duhet të vdes, do të vdes".

    
 
 

17.

 

Mardokeu iku dhe bëri të gjitha gjërat që Esteri kishte urdhëruar.

    
 
 

Ester 5

 

 

 

 

 
 
HTMLBible Software - by johnhurt.com