Bibla e Shenjtë - Albanian Bible

 

2 i Kronikave

 

Kapitulli 30

 

 

1.

 

Pastaj Ezekia i dërgoi lajmëtarë tërë Izraelit dhe Judës dhe i shkroi gjithashtu letra Efraimit dhe Manasit që të vinin në shtëpinë e Zotit në Jeruzalem për të festuar Pashkën për nder të Zotit, Perëndisë të Izraelit.

    
 
 

2.

 

Mbreti, paria dhe tërë asambleja në Jeruzalem vendosën ta kremtojnë Pashkën në muajin e dytë;

    
 
 

3.

 

në të vërtetë nuk kishin mundur ta kremtonin në kohën e caktuar, sepse priftërinjtë nuk ishin shenjtëruar në numër të mjaftueshëm dhe populli nuk ishte mbledhur në Jeruzalem.

    
 
 

4.

 

Kjo gjë i pëlqeu mbretit dhe tërë asamblesë.

    
 
 

5.

 

Vendosën kështu të shpallin në tërë Izraelin, një njoftim nga Beer-Sheba deri në Dan, që të vijnë në Jeruzalem për të kremtuar Pashkën për nder të Zotit, Perëndisë të Izraelit, sepse prej shumë vitesh nuk e kishin kremtuar në mënyrën e paracaktuar.

    
 
 

6.

 

Korrierët, pra, shkuan në gjithë Izraelin dhe në Judën me letrat e mbretit dhe të parisë së tij, duke shpallur sipas urdhrit të mbretit: "Bij të Izraelit, kthehuni tek Zoti, Perëndia i Abrahamit, i Isakut dhe i Izraelit, me qëllim që ai të rikthehet pranë asaj që iu ka mbetur dhe që ka shpëtuar nga duart e mbretërve të Asirisë.

    
 
 

7.

 

Mos jini si etërit tuaj dhe vëllezërit tuaj, që kanë mëkatuar kundër Zotit, Perëndisë të etërve të tyre, i cili për këtë shkak i ka braktisur dhe i ka lënë në pikëllim, siç e shihni.

    
 
 

8.

 

Tani mos e fortësoni zverkun si etërit tuaj, por jepini dorën Zotit, ejani në shenjtëroren e tij që ai ka shenjtëruar përjetë dhe i shërbeni Zotit, Perëndisë tuaj, me qëllim që zjarri i zemërimit të tij të largohet nga ju.

    
 
 

9.

 

Sepse, në rast se ktheheni tek Zoti, vëllezërit tuaj dhe bijtë tuaj do të trajtohen me dhembshuri nga ata që i kanë internuar dhe do të kthehen në këtë vend, sepse Zoti, Perëndia juaj, është i mëshirshëm dhe zemërmadh dhe nuk do ta heqë fytyrën prej jush, në rast se ktheheni tek ai".

    
 
 

10.

 

Dhe korrierët kaluan nga një qytet në tjetrin në vendin e Efraimit dhe të Manasit deri në Zabulon; por njerëzit i përqeshnin dhe talleshin me ta.

    
 
 

11.

 

Megjithatë disa burra nga Asheri, nga Zabuloni dhe nga Manasi u përulën dhe erdhën në Jeruzalem.

    
 
 

12.

 

Por në Judë dora e Perëndisë veproi duke u dhënë atyre një zemër të njëllojtë për të kryer urdhrin e mbretit dhe të parisë, sipas fjalës të Zotit.

    
 
 

13.

 

Një turmë e madhe u mblodh në Jeuzalem për të kremtuar festën e të Ndormëve gjatë muajit të dytë; ishte një kuvend shumë i madh.

    
 
 

14.

 

U ngritën dhe zhdukën altarët që ishin në Jeruzalem; zhdukën gjithashtu tërë altarët e temjanit dhe i hodhën në përroin e Kidronit.

    
 
 

15.

 

Pastaj flijuan Pashkën, ditën e katërmbëdhjetë të muajit të dytë. Priftërinjtë dhe Levitët, plot turp, u shenjtëruan dhe ofruan olokauste në shtëpinë e Zotit.

    
 
 

16.

 

Ata zunë vendet që u përkisnin sipas normave të përshkruara nga ligji i Moisiut, njeriut të Perëndisë. Priftërinjtë spërkatnin gjakun, që merrnin nga duart e Levitëve.

    
 
 

17.

 

Duke qenë se shumë njerëz të asamblesë nuk ishin shenjtëruar, Levitët kishin për detyrë t`i flijonin qengjat e Pashkës për tërë ata që nuk ishin të pastër, për t`ia shenjtëruar Zotit.

    
 
 

18.

 

Në të vërtetë një pjesë e madhe e popullit, shumë nga Efraimi, nga Manasi, nga Isakari dhe nga Zabuloni nuk ishin pastruar, dhe e hëngrën njëlloj Pashkën, duke vepruar ndryshe nga sa ishte shkruar. Por Ezekia u lut për ata, duke thënë: "Zoti, që është i mirë, të falë cilindo

    
 
 

19.

 

që ia ka kushtuar zemrën e tij të kërkojë Perëndinë, Zotin, Perëndinë e etërve të tij, edhe pa pastrimin që kërkon shenjtërorja".

    
 
 

20.

 

Dhe Zoti dëgjoi Ezekian dhe shëroi popullin.

    
 
 

21.

 

Kështu bijtë e Izraelit, që ishin në Jeruzalem, kremtuan festën e të Ndormëve shtatë ditë me radhë në një atmosferë gëzimi të madh, kurse Levitët dhe priftërinjtë lëvdonin çdo ditë Zotin, duke i kënduar me vegla tingëllonjëse Zotit.

    
 
 

22.

 

Ezekia i foli zemrës të të gjithë Levitëve që tregonin njohje të mirë të gjërave të Zotit. Kështu ata hëngrën për shtatë ditët e caktuara të festës, duke ofruar flijime falenderimi dhe duke lëvduar Zotin, Perëndinë e etërve të tyre.

    
 
 

23.

 

Pastaj tërë kuvendi vendosi ta kremtojë festën shtatë ditë të tjera; kështu e kremtuan shtatë ditë të tjera me gëzim.

    
 
 

24.

 

Në fakt Ezekia, mbret i Judës, i kishte falur kuvendit një mijë dema të vegjël dhe shtatë mijë dele; edhe paria i kishte dhuruar kuvendit një mijë dema të vegjël dhe dhjetë mijë dele; dhe një numër i madh priftërinjsh ishte shenjtëruar.

    
 
 

25.

 

Tërë asambleja e Judës kremtoi festën bashkë me priftërinjtë, me Levitët, me tërë asamblenë e atyre që erdhën nga Izraeli dhe me të huajt që kishin mbërritur nga vendin e Izraelit ose që banonin në Judë.

    
 
 

26.

 

Kështu pati një gëzim të madh në Jeruzalem. Nga koha e Salomonit, birit të Davidit, mbret i Izraelit, nuk kishte ndodhur asgjë e tillë në Jeruzalem.

    
 
 

27.

 

Pastaj priftërinjtë Levitë u ngritën dhe bekuan popullin; zëri i tyre u dëgjua dhe lutja e tyre arriti deri në banesën e shenjtë të Zotit në qiell.

    
 
 

2 i Kronikave 31

 

 

 

 

 
 
HTMLBible Software - by johnhurt.com