Bibla e Shenjtë - Albanian Bible

 

2 i Kronikave

 

Kapitulli 26

 

 

1.

 

Pastaj tërë populli i Judës mori Uziahun, që ishte atëherë gjashtëmbëdhjetë vjeç dhe e bëri mbret në vend të atit të tij, Amatsiahut.

    
 
 

2.

 

Ai ndërtoi Elathin dhe ia ripushtoi Judës, mbasi mbretin e pushoi bashkë me etërit e tij.

    
 
 

3.

 

Uziahu ishte gjashtëmbëdhjetë vjeç kur filloi të mbretërojë dhe mbretëroi pesëdhjetë e dy vjet në Jeruzalem. E ëma quhej Jekoliah dhe ishte nga Jeruzalemi.

    
 
 

4.

 

Ai bëri atë që është e drejtë në sytë e Zotit, pikërisht ashtu si kishte bërë Amatsiahu, i ati.

    
 
 

5.

 

Ai kërkoi Perëndinë gjatë jetës së Zakarias, që kuptonte vizionet e Perëndisë; dhe për deri sa kërkoi Zotin, Perëndia e begatoi.

    
 
 

6.

 

Ai doli dhe luftoi kundër Filistejve, rrëzoi muret e Gathit, muret e Jabnehut dhe muret e Ashdodit, dhe ndërtoi qytete në afërsi të Ashdotit dhe midis Filistejve.

    
 
 

7.

 

Perëndia e ndihmoi kundër Filistejve, kundër Arabëve që banonin në Gur-Baal dhe kundër Meunitëve.

    
 
 

8.

 

Amonitët i paguanin Uziahut një haraç; fama e tij qe përhapur deri në kufijtë e Egjiptit; sepse ishte bërë shumë i fuqishëm.

    
 
 

9.

 

Uziahu ndërtoi gjithashtu kulla në Jeruzalem në portën e Qoshes, në portën e Luginës dhe mbi Qoshen e mureve dhe i fortifikoi këto.

    
 
 

10.

 

Ai ndërtoi kulla edhe në shkretëtirë dhe gërmoi shumë puse, sepse kishte një numër të madh bagëtish, si në pjesën e poshtme të vendit ashtu dhe në fushë; kishte gjithashtu bujqër dhe vreshtarë në malet dhe në Karmel, sepse e donte tokën.

    
 
 

11.

 

Uziahu kishte gjithashtu një ushtri luftëtarësh që shkonte në luftë në formacion, sipas numrit të regjistruar nga sekretari Jeijel dhe nga komisari Maasejah nën urdhërat e Hananiahut, një nga kapitenët e mbretit.

    
 
 

12.

 

Numri i përgjithshëm i të parëve të shtëpive atërore, njerëzve të fortë dhe trima, ishte dy mijë e gjashtëqind veta.

    
 
 

13.

 

Nën komandën e tyre ndodhej një ushtri prej treqind e shtatë mijë e pesëqind njerëz të aftë të luftojnë me trimëri të madhe, për të ndihmuar mbretin kundër armikut.

    
 
 

14.

 

Uziahu i furnizoi ata, domethënë tërë ushtrinë, me mburoja, ushta, përkrenare, parzmore, harqe dhe hobe për të hedhur gurë.

    
 
 

15.

 

Në Jeruzalem specialistët i ndërtuan gjithashtu disa makina të cilat ai i vendosi mbi kullat dhe në qoshet, për të hedhur shigjeta dhe gurë të mëdhenj. Fama e tij u përhap larg, sepse u ndihmua në mënyrë të mrekullueshme deri sa u bë i fuqishëm.

    
 
 

16.

 

Por, mbasi u bë i fuqishëm, zemra e tij u bë krenare aq sa u korruptua dhe ai mëkatoi kundër Zotit, duke hyrë në tempullin e Zotit për të djegur temjan në altarin e temjanit.

    
 
 

17.

 

Pas tij hyri prifti Azariah me tetëdhjetë priftërinj të Zotit, njerëz trima.

    
 
 

18.

 

Ata iu kundërvunë mbretit Uziah dhe i thanë: "Nuk të takon ty, o Uziah, t`i ofrosh temjan Zotit, por priftërinjve, bijve të Aaronit, që janë shenjtëruar për të ofruar temjan. Dil nga vendi i shenjtë, sepse ke kryer mëkat! Kjo nuk do të sjellë asnjë nder nga ana e Zotit Perëndi".

    
 
 

19.

 

Atëherë Uziahu, që kishte në dorë një temjanisë për të ofruar temjanin, u zemërua; por ndërsa po u hakërrohej priftërinjve, mbi ballin e tij shpërtheu lebra, përpara priftërinjve, në shtëpinë e Zotit, pranë altarit të temjanit.

    
 
 

20.

 

Kryeprifti Azariah dhe tërë priftërinjtë e tjerë u kthyen ndaj tij, dhe ja, mbi ballin e tij dukeshin shenjat e lebrës. Kështu e nxorën me të shpejtë dhe ai vetë nxitoi të dalë sepse Zoti e kishte goditur.

    
 
 

21.

 

Mbreti Uziah mbeti lebroz deri ditën e vdekjes së tij dhe banoi në një shtëpi të izoluar, sepse ishte lebroz dhe ishte përjashtuar nga shtëpia e Zotit; dhe i biri Jotham ishte kryeintendenti i pallatit mbretëror dhe administronte drejtësinë e popullit të vendit.

    
 
 

22.

 

Pjesa tjetër e bëmave të Uziahut, nga të parat deri në të fundit, janë shkruar nga profeti Isaia, bir i Amotsit.

    
 
 

23.

 

Kështu Uziahu pushoi bashkë me etërit e tij dhe e varrosën bashkë me etërit e tij në fushën e varrimit që u takonte mbretërve, sepse thuhej: "E ka zënë lebra". Në vend të tij mbretëroi i biri, Jothami.

    
 
 

2 i Kronikave 27

 

 

 

 

 
 
HTMLBible Software - by johnhurt.com