Bibla e Shenjtë - Albanian Bible

 

2 i Kronikave

 

Kapitulli 11

 

 

1.

 

Roboami, me të arritur në Jeruzalem, thirri shtëpinë e Judës dhe të Beniaminit, njëqind e tetëdhjetë mijë luftëtarë të zgjedhur, për të luftuar kundër Izraelit dhe për t`i kthyer kështu mbretërinë Roboamit.

    
 
 

2.

 

Por fjala e Zotit iu drejtua kështu Shemajahut, njeriu i Perëndisë, duke thënë:

    
 
 

3.

 

"Foli Roboamit, birit të Salomonit, mbretit të Judës, dhe tërë Izraelit në Judë dhe në Beniamin, dhe u thuaj atyre:

    
 
 

4.

 

Kështu flet Zoti: "Mos dilni të luftoni kundër vëllezërve tuaj. Secili të kthehet në shtëpinë e vet, sepse kjo gjë vjen nga unë"". Atëherë ata iu bindën fjalës të Zotit dhe u kthyen prapa pa dalë kundër Jeroboamit.

    
 
 

5.

 

Roboami banoi në Jeruzalem dhe ndërtoi disa qytete për mbrojtje në Judë.

    
 
 

6.

 

Ai ndërtoi Betlemin, Etamin, Tekoan,

    
 
 

7.

 

Beth-Tsurin, Sokon, Adulamin,

    
 
 

8.

 

Gathin, Mareshahun, Zifin,

    
 
 

9.

 

Adoraimin, Lakishin, Azkahun,

    
 
 

10.

 

Tsorahun, Ajalonin dhe Hebronin, që u bënë qytete të fortifikuara në Judë dhe në Beniamin.

    
 
 

11.

 

Përforcoi fortesat dhe vendosi komandantë dhe depo ushqimesh, vaji dhe vere.

    
 
 

12.

 

Në çdo qytet vendosi mburoja dhe shtiza dhe i bëri jashtëzakonisht të forta. Kështu ai pati me vete Judën dhe Beniaminin.

    
 
 

13.

 

Përveç kësaj nga të gjitha territoret e tyre priftërinjtë dhe Levitët e tërë Izraelit morën anën e tij.

    
 
 

14.

 

Në të vërtetë Levitët braktisën tokat e tyre për kullotë dhe pronat e tyre dhe shkuan në Judë dhe në Jeruzalem, sepse Jeroboami me bijtë e tij i kishte përzënë nga shërbimi si priftërinj të Zotit,

    
 
 

15.

 

dhe kishte caktuar priftërinj për vendet e larta, për demonët dhe për viçat që kishte bërë.

    
 
 

16.

 

Mbas Levitëve ata nga gjithë fiset e Izraelit që kishin vendosur në zemër të tyre të kërkonin Zotin, Perëndinë e Izraelit, vajtën në Jeruzalem për t`i ofruar flijime Zotit, Perëndisë të etërve të tyre.

    
 
 

17.

 

Kështu e përforcuan mbretërinë e Judës dhe e bënë të qëndrushëm për tre vjet Roboamin, birin e Salomonit, sepse për tre vjet ndoqën rrugën e Davidit dhe të Salomonit.

    
 
 

18.

 

Roboami mori për grua Mahalathën, bijën e Jerimothit, birit të Davidit dhe i Abihajlit, bijës së Eliabit që ishte bir i Isait.

    
 
 

19.

 

Ajo i lindi fëmijët Jeush, Shemariah dhe Zaaham.

    
 
 

20.

 

Mbas asaj mori për grua Maakahën, bijën e Absalomit, e cila i lindi Abijahun, Atain, Zizan dhe Shelomithin.

    
 
 

21.

 

Roboami e donte Maakahën, bijën e Absalomit, më tepër se të gjitha bashkëshortet e konkubinat e tij (ai mori tetëmbëdhjetë bashkëshorte dhe shtatëdhjetë konkubina dhe i lindën njëzet e tetë djem dhe gjashtëdhjetë vajza).

    
 
 

22.

 

Roboami e caktoi Abijahun, birin e Maakahës, si të parë që të ishte princ midis vëllezërve të tij, sepse mendonte ta bënte mbret.

    
 
 

23.

 

Ai veproi me zgjuarsi dhe i shpërndau disa nga bijtë e tij në të gjitha vendet e Judës dhe të Beniaminit, në të gjitha qytetet e fortifikuara; u dha atyre ushqime me shumicë dhe kërkoi për ta shumë bashkëshorte.

    
 
 

2 i Kronikave 12

 

 

 

 

 
 
HTMLBible Software - by johnhurt.com