Bibla e Shenjtë - Albanian Bible

 

2 i Kronikave

 

Kapitulli 5

 

 

1.

 

Kështu u përfundua tërë puna që Salomoni kishte urdhëruar për shtëpinë e Zotit. Atëherë Salomoni solli tërë gjërat që i ati kishte shenjtëruar: argjendin, arin dhe të gjitha veglat, dhe i futi në thesaret e shtëpisë së Perëndisë.

    
 
 

2.

 

Atëherë Salomoni mblodhi në Jeruzalem pleqtë e Izraelit dhe të gjithë krerët e fiseve, princat e familjeve atërore të bijve të Izraelit, për ta çuar lart arkën e besëlidhjes të Zotit nga qyteti i Davidit, domethënë nga Sioni.

    
 
 

3.

 

Tërë burrat e Izraelit u mblodhën rreth mbretit për festën që binte në muajin e shtatë.

    
 
 

4.

 

Kështu tërë pleqtë e Izraelit erdhën dhe Levitët morën arkën.

    
 
 

5.

 

Ata e çuan lart arkën, çadrën e mbledhjes dhe të gjitha përdorëset e shenjta që ndodheshin në çadër. Këto gjëra i mbartën priftërinjtë dhe Levitët.

    
 
 

6.

 

Mbreti Salomon dhe tërë asambleja e Izraelit, e mbledhur rreth tij, u grumbulluan rreth arkës dhe flijuan një sasi kaq të madhe dhensh dhe lopësh që nuk mund të numëroheshin as të llogariteshin.

    
 
 

7.

 

Priftërinjtë e çuan pastaj arkën e besëlidhjes të Zotit në vendin e vet, në shenjtëroren e tempullit, në vendin shumë të shenjtë, nën krahët e kerubinëve.

    
 
 

8.

 

Në fakt kerubinët i shtrinin krahët mbi vendin e arkës dhe mbulonin nga lart arkën dhe shufrat e saj.

    
 
 

9.

 

Shufrat ishin aq të gjata sa që skajet e tyre në arkë mund të shiheshin përballë vendit shumë të shenjtë, por nuk dukeshin nga jashtë. Ato kanë mbetur atje deri ditën e sotme.

    
 
 

10.

 

Në arkë nuk kishte asgjë tjetër veç dy pllakave që Moisiu kishte vendosur në malin Horeb, kur Zoti lidhi një besëlidhje me bijtë e Izraelit, kur këta kishin dalë nga Egjipti.

    
 
 

11.

 

Tani, ndërsa priftërinjtë dilnin nga vendi i shenjtë (tërë priftërinjtë e pranishëm në të vërtetë ishin shenjtëruar pa respektuar rendin e klasave,

    
 
 

12.

 

dhe tërë Levitët këngëtarë, Asafi, Hemani, Jeduthuni, bijtë dhe vëllezërit e tyre, të veshur me li të bardhë, me cembale, harpa dhe qeste në dorë rrinin më këmbë në lindje të altarit, dhe bashkë me ta njëqind e njëzet priftërinjtë që u binin borive)

    
 
 

13.

 

dhe kur trumbetarët dhe këngëtarët si një njeri i vetëm bënë të dëgjohet bashkarisht zëri i tyre për të lëvduar dhe për të kremtuar Zotin dhe e ngritën zërin në tingullin e borive, të cembaleve dhe të veglave të tjera muzikore dhe lëvduan Zotin: "Sepse është i mirë, sepse mirësia e tij vazhdon në përjetësi", ndodhi që shtëpia, shtëpia e Zotit, u mbush me një re,

    
 
 

14.

 

dhe priftërinjtë nuk mundën të rrinin për të shërbyer për shkak të resë, sepse lavdia e Zotit mbushte shtëpinë e Perëndisë.

    
 
 

2 i Kronikave 6

 

 

 

 

 
 
HTMLBible Software - by johnhurt.com