Bibla e Shenjtë - Albanian Bible

 

1 i Kronikave

 

Kapitulli 10

 

 

1.

 

Filistejtë luftuan kundër Izraelit dhe Izraelitët ikën me vrap para Filistejve dhe ranë të vrarë në malin Gilboa.

    
 
 

2.

 

Filistejtë ndoqën nga afër Saulin dhe bijtë e tij dhe vranë Jonathanin, Abinadabin dhe Malkishuan, bij të Saulit.

    
 
 

3.

 

Beteja u bë e ashpër kundër Saulit, harkëtarët e goditën dhe ai u plagos rëndë.

    
 
 

4.

 

Atëherë Sauli i tha shqyrtarit të tij: "Nxirr shpatën tënde dhe më shpo me atë, që këta të parrethprerë të mos vijnë e të tallen me mua". Por shqyrtari i tij nuk deshi ta bënte, sepse ishte trembur shumë. Atëherë Sauli mori shpatën dhe u hodh mbi të.

    
 
 

5.

 

Kur shqyrtari e tij pa që Sauli kishte vdekur, edhe ai u hodh mbi shpatën e tij dhe vdiq.

    
 
 

6.

 

Kështu vdiq Sauli me tre bijtë e tij; tërë shtëpia e tij u shua tok.

    
 
 

7.

 

Kur të gjithë Izraelitët që banonin në këtë luginë panë që të tyret kishin ikur dhe që Sauli dhe bijtë e tij kishin vdekur, ata braktisën qytetet e tyre dhe ikën me vrap. Atëherë erdhën Filistejtë dhe u vendosën në vendin e tyre.

    
 
 

8.

 

Të nesërmen Filistejtë erdhën për të zhveshur të vrarët dhe gjetën Saulin dhe bijtë e tij të rënë mbi malin Gilboa.

    
 
 

9.

 

E zhveshën Saulin, i morën kokën dhe armaturën dhe çuan lajmëtarë në të gjithë vendin e Filistejve për të njoftuar lajmin në tempullin e idhujve të tyre dhe gjithë popullit.

    
 
 

10.

 

E vendosën pastaj armaturën e tij në tempullin e perëndive të tyre dhe gozhduan kokën e tij në tempullin e Dagonit.

    
 
 

11.

 

Kur tërë banorët e Jabeshit të Galaadit mësuan tërë atë që Filistejtë i kishin bërë Saulit,

    
 
 

12.

 

tërë njerëzit trima u ngritën më këmbë, morën kufomën e Saulit dhe kufomat e bijve të tij dhe i çuan në Jabesh; pastaj i varrosën kockat e tyre nën brukën e Jabeshit dhe agjeruan shtatë ditë.

    
 
 

13.

 

Kështu Sauli vdiq për shkak, të mosbensikërisë së tij ndaj Zotit, sepse nuk kishte respektuar fjalën e Zotit dhe njëkohësisht kishte konsultuar një medium për të marrë këshilla prej saj,

    
 
 

14.

 

dhe nuk ishte këshilluar përkundrazi me Zotin. Prandaj Zoti e bëri të vdesë dhe ia kaloi mbretërinë Davidit, birit të Isait.

    
 
 

1 i Kronikave 11

 

 

 

 

 
 
HTMLBible Software - by johnhurt.com