Bibla e Shenjtë - Albanian Bible

 

2 i Mbretërve

 

Kapitulli 25

 

 

1.

 

Vitin e nëntë të mbretërisë së tij në muajin e dhjetë, më dhjetë të muajit, ndodhi që Nebukadnetsari, mbret i Babilonisë, erdhi me gjithë ushtrinë e tij kundër Jeruzalemit, ngriti kampin e tij kundër tij dhe ndërtoi përreth vepra rrethonjëse.

    
 
 

2.

 

Kështu qyteti mbeti i rrethuar deri në vitin e njëmbëdhjetë të mbretit Sedekia.

    
 
 

3.

 

Ditën e nëntë të muajit të katërt, uria ishte aq e madhe në qytet sa që nuk kishte bukë për popullin e vendit.

    
 
 

4.

 

Atëherë u hap një e çarë në muret e qytetit dhe tërë luftëtarët ikën natën, nëpër rrugën e portës midis dy mureve, që ndodhej pranë kopshtit të mbretit, megjithëse Kaldeasit ishin rreth qytetit. Kështu mbreti mori rrugën e Arabahut.

    
 
 

5.

 

Por ushria e Kaldeasve e ndoqi mbretin dhe e arriti në fushën e Jerikos, ndërsa tërë ushtria e tij shpërndahej larg tij.

    
 
 

6.

 

Kështu ata e zunë mbretin dhe e çuan te mbreti i Babilonisë në Riblah, ku u shqiptua vendimi kundër tij.

    
 
 

7.

 

Vranë pastaj bijtë e Sedekias në sytë e tij; pastaj i nxorën sytë Sedekias, e lidhën me zinxhira prej bronzi dhe e çuan në Babiloni.

    
 
 

8.

 

Ditën e shtatë të muajit të pestë (ishte viti i nëntëmbëdhjetë i Nebukadnetsarit, mbretit të Babilonisë) arriti në Jeruzalem Nebuzaradani, kapiteni i rojes personale, shërbëtor i mbretit të Babolonisë.

    
 
 

9.

 

Ai dogji shtëpinë e Zotit dhe pallatin mbretëror, i vuri flakën tërë shtëpive të Jeruzalemit, domethënë tërë shtëpive të fisnikëve.

    
 
 

10.

 

Kështu tërë ushtria e Kaldeasve, që ishte me kapitenin e rojeve, shembi muret që rrethonin Jeruzalemin.

    
 
 

11.

 

Pastaj Nebuzaradani, kapiteni i rojeve, internoi pjesën tjetër të popullit që kishte mbetur në qytet, dezertorët që ishin hedhur nga ana e mbretit të Babilonisë dhe ata që mbeten nga turma.

    
 
 

12.

 

Por kapiteni i rojeve la disa nga më të varfërit e vendit të merreshin me punimin e vreshtave dhe të arave.

    
 
 

13.

 

Kaldeasit i bënë copë-copë shtyllat prej bronzi që ishin në shtëpinë e Zotit, qerret dhe detin prej bronzi që ishin në shtëpinë e Zotit, dhe e çuan bronzin në Babiloni.

    
 
 

14.

 

Ata muarrën edhe tiganët, lopatëzat, thikat, kupat dhe të gjitha veglat prej bronzi, që përdoreshin gjatë shërbimit të tempullit.

    
 
 

15.

 

Kapiteni i rojes mori gjithashtu mangallët dhe kupat, ato gjëra që ishin prej ari dhe argjendi të pastër.

    
 
 

16.

 

Sa për dy shtyllat, detin dhe qerret që Salomoni kishte ndërtuar për shtëpinë e Zotit, bronzi i tërë këtyre objekteve kishte një peshë që nuk mund të llogaritej.

    
 
 

17.

 

Lartësia e një shtylle ishte tetëmbëdhjetë kubitë; mbi të kishte një kapitel prej bronzi. Lartësia e kapitelit ishte tre kubitë; rreth e qark kapitelit kishte një rrjetëz dhe disa shegë tërësisht prej bronzi. Shtylla tjetër, me rrjetëzën ishte njëlloj si kjo.

    
 
 

18.

 

Kapiteni i rojes mori Serajahun, kryepriftin, Sofonien, priftin e dytë dhe tre derëtarët.

    
 
 

19.

 

Nga qyteti mori edhe një eunuk që komandonte luftëtarët; pesë nga këshilltarët personalë të mbretit që i gjetën në qytet; sekretarin e komandantit të ushtrisë që rekrutonte popullin e vendit, dhe gjashtëdhjetë veta nga populli i vendit që u gjetën në qytet.

    
 
 

20.

 

Kështu Nebuzaradani, kapiten i rojes, i mori dhe i çoi te mbreti i Babilonisë në Riblah;

    
 
 

21.

 

dhe mbreti i Babilonisë urdhëroi që të vriten në Riblah, në vendin e Hamathit. Kështu Juda u internua larg vendit të tij.

    
 
 

22.

 

Sa për popullin që mbeti në vendin e Judës, që e kishte lënë Nebukadnetsari, mbret i Babilonisë, ky vuri në krye të tij Gedaliahun, birin e Ahikamit, që ishte bir i Shafanit.

    
 
 

23.

 

Kur tërë kapitenët e trupave dhe njerëzit e tyre dëgjuan që mbreti i Babilonisë kishte caktuar Gedaliahun si qeveritar, shkuan te Gedaliahu në Mitspah; ata ishin Ishmaeli, bir i Nethaniahut, Johanani, bir i Kareahut, Serajahu, bir i Tanhumethit nga Netofahu, Jaazaniahu, bir i një Maakathitit, së bashku me njerëzit e tyre.

    
 
 

24.

 

Gedaliahu iu betua atyre dhe njerëzve të tyre, duke thënë: "Mos kini frikë nga shërbëtorët e Kaldeasve; qëndroni në vend, i shërbeni mbretit të Babilonisë dhe do ta ndjeni veten mirë".

    
 
 

25.

 

Por muajin e shtatë, Ishmaeli, bir i Nethaniahut, që ishte bir i Elishamit, nga familja mbretërore, erdhi bashkë me dhjetë njerëz; këta goditën dhe vranë Gedaliahun si edhe Judejtë dhe Kaldeasit që ishin me të në Mitspah.

    
 
 

26.

 

Atëherë tërë populli, nga më i vogli deri te më i madhi, dhe kapitenët e trupave u ngritën dhe shkuan në Egjipt, sepse kishin frikë nga Kaldeasit.

    
 
 

27.

 

Në vitin e tridhjetë e shtatë të robërisë së Jehojakinit, mbretit të Judës, në muajin e dymbëdhjetë, ditën e njëzeteshtatë të muajit, Evilmerodaku, mbret i Babilonisë, pikërisht vitin që filloi të mbretërojë, fali Johajakinin, mbretin e Judës, dhe e nxori nga burgu.

    
 
 

28.

 

I foli me dashamirësi dhe i ofroi një fron më të lartë se ata që kishin mbretërit që ishin me të në Babiloni.

    
 
 

29.

 

Kështu Jehojakini ndërroi rrobat e tij prej të burgosurit dhe hëngri gjithnjë në prani të mbretit për të gjithë ditët e jetës së tij.

    
 
 

30.

 

Ushqimi i tij ishte siguruar rregullisht nga mbreti, një racion në ditë, për të gjitha ditët e jetës së tij.

    
 
 

1 i Kronikave 1

 

 

 

 

 
 
HTMLBible Software - by johnhurt.com