Bibla e Shenjtë - Albanian Bible

 

2 i Mbretërve

 

Kapitulli 12

 

 

1.

 

Në vitin e shtatë të Jehut, Joasi filloi të mbetërojë dhe mbretëroi dyzet vjet në Jeruzalem. Nëna e tij quhej Tsibiah, ishte nga Beer-Sheba.

    
 
 

2.

 

Joasi bëri atë që ishte e drejtë në sytë e Zotit për tërë kohën që udhëhiqej nga prifti Jehojada.

    
 
 

3.

 

Megjithatë vendet e larta nuk u ndryshuan; populli vazhdonte të bënte flijime dhe të digjte temjan në vendet e larta.

    
 
 

4.

 

Joasi u tha priftërinjve: "Tërë paratë e gjërave të shenjtëruara që çohen në shtëpinë e Zotit, paratë e vëna mënjanë, paratë e caktuara për shpengimin e vetes dhe tërë paratë që secili e ndjen në zemër t`ia çojë shtëpisë së Zotit,

    
 
 

5.

 

t`i marrin priftërinjtë, secili nga i njohuri i tij, dhe të ndreqin dëmtimet që ka pasur tempulli kudo që të ndodhen".

    
 
 

6.

 

Por në vitin e njëzetetretë të mbretit Joas priftërinjtë nuk kishin ndrequr akoma dëmtimet e tempullit.

    
 
 

7.

 

Atëherë mbreti Joas thirri priftin Jehojada dhe priftërinjtë e tjerë dhe u tha: "Pse nuk i keni ndrequr dëmtimet e tempullit? Prandaj mos merrni më para nga të njohurit tuaj, por u jepni për të ndrequr dëmtimet e tempullit".

    
 
 

8.

 

Priftërinjtë pranuan të mos merrnin më para nga populli, as edhe të ndreqnin dëmtimet e tempullit.

    
 
 

9.

 

Pastaj prifti Jehojada mori një arkë, hapi një vrimë në kapakun e saj dhe e vendosi përbri altarit, në krahun e djathtë të atij që hyn në shtëpinë e Zotit; priftërinjtë që ruanin hyrjen vendosën aty tërë paratë e sjella në shtëpinë e Zotit.

    
 
 

10.

 

Kur ata shihnin që në arkë kishte shumë para, atëherë vinin sekretari i mbretit dhe kryeprifti që i vinin paratë në qese dhe numëronin paratë e gjetura në shtëpinë e Zotit.

    
 
 

11.

 

Pastaj paratë që ishin peshuar i dorëzonin në duart e atyre që kryenin punë, të cilëve u ishte besuar mbikqyrja e shtëpisë së Zotit; dhe këta ua kalonin marangozëve dhe ndërtuesve që punonin në shtëpinë e Zotit,

    
 
 

12.

 

muratorëve dhe gdhëndësve, për të blerë dru dhe gurë të latuar, të nevojshëm për të ndrequr dëmtimet e shtëpisë së Zotit dhe për të mbuluar të gjitha shpenzimet e bëra për ndreqjen e tempullit.

    
 
 

13.

 

Por me paratë e sjella në shtëpinë e Zotit nuk u bënë, për shtëpinë e Zotit, as kupa prej argjendi, as pastrues, as enë, as bori, asnjë send ari ose asnjë send argjendi;

    
 
 

14.

 

paratë u jepeshin vetëm atyre që kryenin punimet, të cilët i përdornin për të restauruar shtëpinë e Zotit.

    
 
 

15.

 

Përveç kësaj nuk u kërkohej asnjë llogari atyre që u ishin dorëzuar paratë, të cilat duhet t`u jepeshin zbatuesve të punimeve, sepse këta punonin me përpikmëri.

    
 
 

16.

 

Paratë e flijimeve të shlyerjes dhe ato të flijimeve për mëkatet nuk çoheshin në shtëpinë e Zotit; ato ishin për priftërinjtë.

    
 
 

17.

 

Në atë kohë Hazaeli, mbret i Sirisë, doli për të luftuar kundër Gathit dhe e pushtoi; pastaj Hazaeli u përgatit të sulmonte Jeruzalemin.

    
 
 

18.

 

Atëherë Joasi, mbret i Judës, mori tërë sendet e shenjta që etërit e tij Jozafati, Jehorami dhe Ashaziahu, mbretër të Judës kishin shenjtëruar, ato që kishte shenjtëruar ai vetë dhe tërë arin që gjendej në thesarët e shtëpisë së Zotit dhe në shtëpinë e mbretit, dhe i dërgoi të gjitha Hazaelit, mbretit të Sirisë, që u tërhoq në Jeruzalem.

    
 
 

19.

 

Pjesa tjetër e bëmave të Joasit dhe tërë ato që bëri a nuk janë të shkruara në librin e Kronikave të mbretërve të Judës?

    
 
 

20.

 

Shërbëtorët e Joasit ngritën krye, kurdisën një komplot dhe e vranë në shtëpinë e Milos, në tatëpjetën në drejtim të Silas.

    
 
 

21.

 

Jozakari, bir i Shimeathit, dhe Jehozabadi, bir i Shomerit, shërbëtorë të tij, e goditën dhe ai vdiq. E varrosën pastaj bashkë me etërit e tij në qytetin e Davidit. Në vend të tij mbretëroi i biri, Amatsiahu.

    
 
 
 
 
HTMLBible Software - by johnhurt.com