Bibla e Shenjtë - Albanian Bible

 

1 i Mbretërve

 

Kapitulli 22

 

 

1.

 

Kaluan tre vjet pa luftë midis Sirisë dhe Izraelit.

    
 
 

2.

 

Por në vitin e tretë Jozafati, mbreti i Judës, zbriti të takohet me mbretin e Izraelit.

    
 
 

3.

 

Mbreti i Izraelit u kishte thënë shërbëtorëve të tij: "Ju nuk e dini që Ramothi i Galaadit është yni dhe ne po rrimë të qetë pa e rimarrë nga duart e mbretit të Sirisë?".

    
 
 

4.

 

Pastaj i tha Jozafatit: "A nuk do të vije të luftoje me mua në Ramoth të Galaadit?". Jozafati iu përgjigj mbretit të Izraelit me këto fjalë: "Ki besim tek unë ashtu si te vetja jote, te njerëzit e mi si te njerëzit e tu, mbi kuajt e mi ashtu si ke besim te kuajt e tu".

    
 
 

5.

 

Jozafati i tha gjithashtu mbretit të Izraelit: "Të lutem këshillohu po sot me Zotin".

    
 
 

6.

 

Atëherë mbreti i Izraelit thirri profetët që ishin rreth katërqind, dhe iu tha: "A duhet të shkoj të luftoj kundër Ramothit të Galaadit, apo të heq dorë nga kjo?". Ata iu përgjigjën: "Shko, sepse Perëndia do ta japë në duart e mbretit".

    
 
 

7.

 

Por Jozafati tha: "A nuk ka këtu ndonjë profet tjetër të Zotit, me të cilin mund të këshillohemi?".

    
 
 

8.

 

Mbreti i Izraelit iu përgjigj Jozafatit: "Ka akoma një njeri, Mikajahu, bir i Imlahut, me anë të të cilit mund të këshillohesh me Zotin; por unë e urrej sepse nuk profetizon kurrë asgjë të mirë lidhur me mua, por vetëm të keqen". Jozafati u përgjigj: "Mbreti nuk duhet të flasë kështu!".

    
 
 

9.

 

Atëherë mbreti i Izraelit thirri një eunuk dhe i tha: "Sill menjëherë Mikajahun, birin e Imlahut".

    
 
 

10.

 

Mbreti i Izraelit dhe Jozafati, mbret i Judës, ishin ulur secili në fronin e tij, të veshur me rrobat e tyre mbretërore, në lëmin që ndodhet në hyrje të portës së Samarisë; dhe tërë profetët profetizonin para tyre.

    
 
 

11.

 

Sedekia, bir i Kenaanahut, që i kishte bërë vetes brirë prej hekuri, tha: "Kështu thotë Zoti: "Me këta brirë do të shposh tejpërtej Sirët deri sa t`i shkatërrosh plotësisht"".

    
 
 

12.

 

Tërë profetët bënin profeci të njollojtë dhe thonin: "Shko kundër Ramothit të Galaadit dhe do t`ia dalësh, sepse Zoti do ta japë në duart e mbretit".

    
 
 

13.

 

Lajmëtari që kishte shkuar të thërriste Mikajahun i foli kështu dhe tha: "Ja, fjalët e profetëve përputhen duke shpallur gjëra të mira për mbretin; të lutem, fjala jote të jetë si ajo e secilit prej tyre, dhe shpall edhe ti gjëra të mira".

    
 
 

14.

 

Por Mikajahu u përgjigj: "Ashtu siç është e vërtetë që Zoti rron, unë do them ato që do të më thotë Zoti".

    
 
 

15.

 

Si ariti para mbretit, mbreti i tha: "Mikajah, a duhet të shkojmë të luftojmë kundër Ramothit të Galaadit, apo duhet të heqim dorë?". Ai u përgjigj: "Shko, ti do t`ia dalësh, sepse Zoti do ta japë në duart e mbretit".

    
 
 

16.

 

Atëherë mbreti i tha: "Sa herë jam përgjëruar të më thuash vetëm të vërtetën në emër të Zotit?".

    
 
 

17.

 

Mikajahu u përgjigj: "Pashë tërë Izraelin të shpërndarë nëpër male, sikur të ishin dhen pa bari; dhe Zoti ka thënë: "Ata nuk kanë më zot; secili të kthehet në paqe në shtëpinë e vet"".

    
 
 

18.

 

Mbreti i Izraelit i tha Jozafatit: "A nuk të kisha thënë unë që në lidhje me mua, ai nuk do të profetizonte asgjë të mirë, por vetëm të keqe?".

    
 
 

19.

 

Atëherë Mikajahu tha: "Prandaj dëgjo fjalën e Zoti. Unë e kam parë Zotin të ulur mbi fronin e tij, ndërsa tërë ushtria e qiellit i rrinte përqark në të djathtë dhe në të majtë.

    
 
 

20.

 

Zoti tha: "Kush do t`ia prishë mendjen Ashabit që të dalë dhe të vritet në Ramoth të Galaadit?". Tani dikush përgjigjet në një mënyrë dhe dikush në një tjetër.

    
 
 

21.

 

Atëherë doli një frymë, që u paraqit përpara Zotit dhe tha: "Do t`ia prish mendjen unë".

    
 
 

22.

 

Zoti i tha: "Në çfarë mënyre?". Ai u përgjigj: "Do të dal dhe do të jem fryma e gënjeshtrës në gojën e tërë profetëve të tij". Zoit i tha: "Do t`ia dalësh me siguri ta mashtrosh; dil dhe vepro ashtu".

    
 
 

23.

 

Prandaj Zoti ka vënë një frymë gënjeshtre në gojën e të gjithë profetëve të tu; por Zoti parashikon fatkeqësira kundër teje".

    
 
 

24.

 

Atëherë Sedekia, bir i Kenaanahut, u afrua dhe i ra me një shpullë Mikajahut, duke i thënë: "Nga kaloi Fryma e Zotit kur doli nga unë për të folur me ty?".

    
 
 

25.

 

Mikajahu u përgjigj: "Do ta shohësh ditën që do të shkosh, në një dhomë të brendshme për t`u fshehur".

    
 
 

26.

 

Atëherë mbreti i Izraelit tha: "Merre Mikajahun dhe çoje tek Amoni, guvernatori i qytetit dhe tek Joasi, bir i mbretit, dhe u thuaj atyre:

    
 
 

27.

 

Kështu thotë mbreti: "Futeni këtë në burg dhe ushqeheni me bukë dhe me ujë hidhërimi, deri sa të kthehem shëndoshë e mirë".

    
 
 

28.

 

Atëherë Mikajahu tha: "Në rasat se ti kthehesh shëndoshë e mirë, kjo do të thotë se Zoti nuk ka folur nëpërmjet meje". Dhe shtoi: "Dëgjoni, o popuj të tërë!".

    
 
 

29.

 

Mbreti i Izraelit dhe Jozafati, mbret i Judës, dolën, pra, kundër Ramothit të Galaadit.

    
 
 

30.

 

Mbreti i Izraelit i tha Jozafatit: "Unë do të ndërroj petkat që të mos njihem dhe pastaj do të shkoj të luftoj; por ti vish rrobat e tua mbretërore". Kështu mbreti i Izraelit u vesh me rroba të tjera dhe shkoi të luftojë.

    
 
 

31.

 

Mbreti i Sirisë u kishte dhënë këtë urdhër tridhjetë e dy kapitenëve të qerreve të tij, duke thënë: "Mos luftoni kundër askujt, i madh apo i vogël qoftë; por vetëm kundër mbretit të Izraelit".

    
 
 

32.

 

Kështu, kur kapitenët e qerreve panë Jozafatin, ata thanë: "Ky është me siguri mbreti i Izraelit". Dhe u kthyen nga ai për ta sulmuar; por Jozafati lëshoi një ulërimë.

    
 
 

33.

 

Kur kapitenët e qerreve e kuptuan që nuk ishte mbreti i Izraelit, hoqën dorë nga ndjekja.

    
 
 

34.

 

Por një njeri lëshoi rastësisht shigjetë me harkun e tij dhe goditi mbretin e Izraelit midis sythave të parzmores të tij; prandaj mbreti i tha karrocierit: "Kthehu dhe më ço jashtë rrëmujës, sepse jam i plagosur".

    
 
 

35.

 

Por beteja qe aq e ashpër atë ditë, sa që mbreti u detyrua të qëndrojë në qerren e tij përpara Sirëve, dhe vdiq aty nga mbrëmja; gjaku i plagës kishte rjedhur në fund të qerres.

    
 
 

36.

 

Kur po ngrysej, një ulërimë përshkoi radhët e ushtrisë: "Secili të kthehet në qytetin e vet, secili në fshatin e tij!".

    
 
 

37.

 

Kështu mbreti vdiq dhe u çua në Samari; pastaj u bë varrimi i mbretit në Samari.

    
 
 

38.

 

Pas kësaj lanë qerren dhe armët në një hauz të Samarisëç dhe qentë lëpinë gjakun e tij, sipas fjalës që kishte thënë Zoti.

    
 
 

39.

 

Pjesa tjetër e bëmave të Ashabit, të gjitha ato që ai bëri, shtëpia e fildishtë që ndërtoi dhe tërë qytetet që ngriti a nuk janë të shkruara vallë në librin e Kronikave të mbretërve të Izraelit?

    
 
 

40.

 

Kështu Ashabin e zuri gjumi me etërit e tij. Në vend të tij mbretëroi Ashaziahu, i biri.

    
 
 

41.

 

Jozafati, bir i Asas, filloi të mbretërojë mbi Judën vitin e katërt të Ashabit, mbret i Izraelit.

    
 
 

42.

 

Jozafati ishte tridhjetë e pesë vjeç kur filloi të mbretërojë, dhe mbretëroi njëzet e pesë vjet në Jeruzalem. E ëma quhej Azubah dhe ishte bijë e Shilhit.

    
 
 

43.

 

Ai ndoqi tërë rrugët e Asas, atit të tij, dhe nuk u largua prej tyre, duke bërë atë që është e drejtë në sytë e Zotit. Megjithatë vendet e larta nuk u hoqën; kështu populli vazhdonte të ofronte flijime dhe të digjte temjan në vendet e larta.

    
 
 

44.

 

Dhe Jozafati jetonte në paqe me mbretin e Izraelit.

    
 
 

45.

 

Pjesa tjetër e bëmave të Jozafatit, trimëritë e tij dhe luftrat e tij a nuk janë vallë të shkruara në librin e Kronikave të mbretërve të Judës?

    
 
 

46.

 

Ai zhduku nga vendi mbeturinat e atyre që merreshin me kurvëri dhe, që kishin mbetur nga koha e Asas, atit të tij.

    
 
 

47.

 

Në atë kohë nuk kishte asnjë mbret në Edom, por vetëm një përfaqësues i mbretit.

    
 
 

48.

 

Jozafati bëri që të ndërtohen anije në Tarshish për të vajtur në Ofir, që të kërkohej ar, por anijet nuk arritën kurrë të dalin në det, sepse u shkatërruan në Etsion-Geber.

    
 
 

49.

 

Atëherë Ashaziahu, bir i Ashabit, i tha Jozafatit: "Lejo që shërbëtorët e mi të hipin mbi anijet bashkë me shërbëtorët e tu". Por Jozafati nuk pranoi.

    
 
 

50.

 

Jozafatin e zuri gjumi bashkë me etërit e tij dhe u varros bashkë me ta në qytetin e Davidit, atit të tij. Në vend të tij mbretëroi i biri Jehoram.

    
 
 

51.

 

Ashaziahu, bir i Ashabit, filloi të mbretërojë mbi Izraelin në Samari vitin e shtatëmbëdhjetë të Jozafatit, mbretit të Judës, dhe mbretëroi dy vjet mbi Izraelin.

    
 
 

52.

 

Ai bëri atë që është e keqe në sytë e Zotit dhe ndoqi rrugën e atit të tij, të nënës së tij dhe atë të Jeroboamit, birit të Nebathit, që e kishte bërë Izraelin të kryente mëkate.

    
 
 

53.

 

U vu në shërbim të Baalit dhe ra përmbys përpara tij, duke shkaktuar zemërimin e Zotit, Perëndisë të Izraelit, pikërisht ashtu si kishte vepruar i ati.

    
 
 

2 i Mbretërve 1

 

 

 

 

 
 
HTMLBible Software - by johnhurt.com