Bibla e Shenjtë - Albanian Bible

 

2 i Samuelit

 

Kapitulli 1

 

 

1.

 

Pas vdekjes së Saulit, Davidi u kthye nga masakra e Amalekitëve dhe u ndal dy ditë në Tsiklag.

    
 
 

2.

 

Ditën e tretë arriti në kampin e Saulit një burrë me rroba të grisura dhe me kokën me dhe. Sa arriti pranë Davidit, ai ra për tokë dhe u përkul.

    
 
 

3.

 

Davidi e pyeti: "Nga vjen?". Ai iu përgjigj: "Kam ikur nga kampi i Izraelit".

    
 
 

4.

 

Davidi i tha: "Si u bë? Të lutem, më trego". Ai iu përgjigj: "Populli iku nga fusha e betejës dhe shumë njerëz ranë dhe vdiqën; edhe Sauli dhe biri i tij Jonatan kanë vdekur".

    
 
 

5.

 

Atëherë Davidi e pyeti të riun që i tregonte ngjarjen: "Si e di ti që Sauli dhe biri i tij Jonatani kanë vdekur?".

    
 
 

6.

 

I riu që i tregonte ngjarjen tha: "Ndodhesha rastësisht në malin Gilboa, kur pashë Saulin të mbështetur në shtizën e tij, ndërsa qerret dhe kalorësit e ndiqnin nga afër.

    
 
 

7.

 

Ai u kthye, më pa dhe më thirri. Unë iu përgjigja: "Ja ku jam".

    
 
 

8.

 

Ai më pyeti: "Kush je ti?". Unë iu përgjigja: "Jam një Amalekit".

    
 
 

9.

 

Atëherë ai më tha: "Afrohu tek unë dhe më vrit, sepse një ankth i madh më ka pushtuar, por jeta është e tëra akoma tek unë".

    
 
 

10.

 

Kështu iu afrova atij dhe e vrava, sepse e kuptoja që ai nuk do të mund të jetonte mbas rënies së tij. Pastaj mora diademën që kishte mbi kokë dhe byzylykun që mbante në krah, dhe i solla këtu te zotëria im".

    
 
 

11.

 

Atëherë Davidi kapi rrobat e veta dhe i grisi; po kështu vepruan tërë njerëzit që ishin me të.

    
 
 

12.

 

Kështu mbajtën zi, qanë dhe agjeruan deri në mbrëmje për Saulin, për Jonatanin, birin e tij, për popullin e Zotit dhe për shtëpinë e Izraelit, sepse kishin rënë nga shpata.

    
 
 

13.

 

Pastaj Davidi e pyeti të riun që i kishte treguar ngjarjen: "Nga ç`vend je?". Ai u përgjigj: "Jam biri i një të huaji, i një Amalekiti".

    
 
 

14.

 

Atëherë Davidi i tha: "Si nuk pate frikë të shtrish dorën për të vrarë të vajosurin e Zotit

    
 
 

15.

 

Pastaj thirri një nga njerëzit e tij dhe i tha: "Afrohu dhe hidhu mbi të!". Ai e goditi dhe Amalekiti vdiq.

    
 
 

16.

 

Pas kësaj Davidi tha: "Gjaku yt rëntë mbi kokën tënde, sepse me gojën tënde ke dëshmuar kundër vetes sate, duke thënë: "Unë kam vrarë të vajosurin e Zotit"".

    
 
 

17.

 

Atëherë Davidi ia mori këtij vajtimi për Saulin dhe Jonatanin, birin e tij,

    
 
 

18.

 

dhe urdhëroi t`u mësonin bijve të Judës këngën e harkut. Ja, ajo gjendet e shkruar në librin e të Drejtit.

    
 
 

19.

 

"Madhështia e Izraelit qëndron e vrarë në lartësitë e tua! Si është e mundur që ranë trimat?

    
 
 

20.

 

Mos ia njoftoni Gathit, mos e bëni të ditur nëpër rrugët e Ashkalonit, që të mos gëzohen bijat e Filistejve, që të mos ngazëllohen bijat e të parrethprerëve.

    
 
 

21.

 

O male të Gilboas, mos rëntë më as vesa as shiu mbi ju, mos pastë as fusha ofertash; sepse aty u hodh mburoja e trimave, mburoja e Saulit, sikur ky të mos ishte i vajosur.

    
 
 

22.

 

Nga gjaku i të vrarëve, nga dhjami i trimave, harku i Jonatanit nuk u tërhoq kurrë dhe shpata e Saulit nuk u vërtit kurrë bosh.

    
 
 

23.

 

Sauli dhe Jonatani; aq të dashur dhe të përzemërt në jetë, nuk u ndanë në vdekjen e tyre. Ishin më të shpejtë se shqiponjat, më të fortë se luanët.

    
 
 

24.

 

Bija të Izraelit, vajtoni Saulin që ju vishte në luks me rroba flakë të kuqe, që i zbukuronte me ar veshjet tuaja.

    
 
 

25.

 

Vallë, si ranë trimat në mes të betejës, si u vra Jonathani në lartësitë e tua?

    
 
 

26.

 

Unë jam në ankth për ty, o vëllai im Jonatan; ti ishe shumë i dashur për mua, dashuria jote për mua ishte më e mrekullueshme se dashuria e grave.

    
 
 

27.

 

Vallë, si ranë trimat dhe si u shkatërruan armët e luftës?".

    
 
 

2 i Samuelit 2

 

 

 

 

 
 
HTMLBible Software - by johnhurt.com