Bibla e Shenjtë - Albanian Bible

 

1 i Samuelit

 

Kapitulli 28

 

 

1.

 

Ato ditë Filistejtë mblodhën ushtrinë e tyre për të luftuar Izraelin. Atëherë Akishi i tha Davidit: "Dije mirë që duhet të dalësh të luftosh bashkë me mua, ti dhe njerëzit e tu".

    
 
 

2.

 

Davidi iu përgjegj Akishit: "Ti me siguri ke për të parë atë që do të bëjë shërbëtori yt". Atëherë Akishi i tha Davidit: "Mirë, pra, unë do të të bëhem roje personale për gjithnjë".

    
 
 

3.

 

Samueli kishte vdekur dhe gjithë Izraeli e kishte qarë, e kishin varrosur në Ramah, në qytetin e tij. Dhe Sauli kishte përzënë nga vendi mediumet dhe shortarët.

    
 
 

4.

 

Kështu Filistejtë u mblodhën dhe erdhën të fushojnë në Shunem, ndërsa Sauli mblodhi tërë Izraelin dhe fushoi në Gilboa.

    
 
 

5.

 

Kur Sauli pa ushtrinë e Filistejve pati frikë dhe zemra e tij u drodh fortë.

    
 
 

6.

 

Kështu Sauli i kërkoi këshillë Zotit dhe Zoti nuk iu përgjegj as me anë të ëndrrave, as nëpërmjet Urimit dhe as me anë të profetëve.

    
 
 

7.

 

Atëherë Sauli u tha shërbëtorëve të tij: "Më gjeni një grua që të jetë mediume, me qëllim që unë të mund të shkoj tek ajo për t`u këshilluar". Shërbëtorët e tij i thanë: "Ja, në En-Dor ka një grua që është mediume".

    
 
 

8.

 

Kështu Sauli u vesh ndryshe për të mos u njohur dhe u nis me dy burra. Arritën tek ajo grua natën dhe Sauli i tha: "Bëj një shortari për mua, të lutem, me një seancë spiritizmi dhe më thirr atë që do të të them".

    
 
 

9.

 

Gruaja iu përgjegj: "Ja, ti e di ç`ka bërë Sauli; ai i ka shfarosur nga vendi mediumet dhe shortarët. Pse i ngre një grackë jetës sime, për të shkaktuar vdekjen time?".

    
 
 

10.

 

Atëherë Sauli iu betua në emër të Zotit, duke thënë: "Ashtu siç është e vërtetë që Zoti rron, asnjë ndëshkim nuk do të kesh për këtë!".

    
 
 

11.

 

Gruaja i tha: "Cilin duhet të të nxjerr?". Ai i tha: "Më nxirr Samuelin".

    
 
 

12.

 

Kur pa Samuelin, gruaja bërtiti me zë të lartë; dhe gruaja i tha Saulit: "Pse më mashtrove? Ti je Sauli!".

    
 
 

13.

 

Mbreti iu përgjegj: "Mos ki frikë; çfarë shikon?". Gruaja i tha Saulit: "Shoh një qenie mbinjerëzore që ngrihet nga toka".

    
 
 

14.

 

Ai e pyeti: "Ç`formë ka?". Ajo u përgjegj: "Éshtë një plak që po ngjitet dhe është mbështjellë me një mantel". Atëherë Sauli kuptoi se ishte Samueli, u përul me fytyrën për tokë dhe ra përmbys.

    
 
 

15.

 

Samueli i tha Saulit: "Pse më shqetësove duke bërë që të dal?". Sauli iu përgjegj: "Ndodhem në një ankth të madh, sepse Filistejtë më luftojnë dhe Perëndia është larguar nga unë, dhe nuk më përgjigjet

    
 
 

16.

 

Samueli i tha: "Pse këshillohesh me mua, në qoftë se Zoti është larguar nga ti dhe është bërë armiku yt?

    
 
 

17.

 

Zoti veproi ashtu siç kishte thënë nëpërmjet meje. Zoti e shkëputi mbretërinë nga duart e tua dhe ia dha një tjetri, Davidit,

    
 
 

18.

 

sepse nuk iu binde zërit të Zotit dhe nuk zbatove në jetë zemërimin e thellë të tij kundër Amalekut; për këtë arsye Zoti të bëri sot këtë gjë.

    
 
 

19.

 

Zoti do ta japë edhe Izraelin bashkë me ty në duart e Filistejve; nesër ti dhe bijtë e tu do të jeni me mua. Zoti do të japë gjithashtu ushtrinë e Izraelit në duart e Filistejve.

    
 
 

20.

 

Atëherë Sauli ra menjëherë për së gjati për tokë, sepse ishte trembur shumë nga fjalët e Samuelit; ai kishte qenë edhe më parë pa fuqi, sepse nuk kishte ngrënë tërë atë ditë dhe tërë atë natë.

    
 
 

21.

 

Gruaja iu afrua Saulit dhe duke e parë të tmerruar fare, i tha: "Ja, shërbëtorja jote iu bind zërit tënd; unë vura në rrezik jetën time për t`iu bindur fjalëve që më the.

    
 
 

22.

 

Prandaj dëgjo edhe ti zërin e shërbëtores sate dhe lermë të vë para teje një copë buke; ha, sepse kështu do të marrësh fuqi për ta rifilluar rrugën".

    
 
 

23.

 

Por ai refuzoi dhe tha: "Nuk do të ha". Por shërbëtorët e tij bashkë me gruan ngulën këmbë dhe ai i dëgjoi; kështu u ngrit nga toka dhe u ul në shtrat.

    
 
 

24.

 

Gruaja kishte në shtëpi një viç të majmë; e theri shpejt e shpejt, pastaj mori miellin, gatoi brumin dhe përgatiti disa bukë pa maja.

    
 
 

25.

 

I vuri këto ushqime Saulit dhe shërbëtorëve të tij, dhe ata i hëngrën; pastaj u ngritën dhe u nisën po atë natë.

    
 
 

1 i Samuelit 29

 

 

 

 

 
 
HTMLBible Software - by johnhurt.com