Bibla e Shenjtë - Albanian Bible

 

Jozueu

 

Kapitulli 24

 

 

1.

 

Pastaj Jozueu mblodhi të gjitha fiset e Izraelit në Sikem, dhe thirri pleqtë e Izraelit, krerët, gjykatësit dhe oficerët e tij, që u paraqitën përpara Perëndisë.

    
 
 

2.

 

Dhe Jozueu i tha tërë popullit: "Kështu flet Zoti, Perëndia i Izraelit: "Në kohërat e kaluara, etërit tuaj, si Terahu, ati i Abrahamit dhe i Nahorit, banonin matanë lumit dhe u shërbenin perëndive të tjera.

    
 
 

3.

 

Unë mora atin tuaj Abrahamin nga ana tjetër e lumit, e bëra të kalojë nëpër gjithë vendin e Kanaanit, shumëzova pasardhësit e tij dhe i dhashë Isakun.

    
 
 

4.

 

Isakut i dhashë Jakobin dhe Esaun; Esaut i dhashë si trashëgimi malin e Seirit; por Jakobi dhe bijtë e tij zbritën në Egjipt.

    
 
 

5.

 

Pastaj dërgova Moisiun dhe Aaronin dhe godita Egjiptin me atë që bëra në mes të tij; pastaj ju nxora jashtë.

    
 
 

6.

 

Kështu nxora nga Egjipti etërit tuaj, dhe ju arritët në det. Egjiptasit i ndoqën etërit tuaj me qerre dhe me kalorës deri në Detin e Kuq.

    
 
 

7.

 

Por ata i klithën Zotit, dhe ai vendosi një errësirë të dendur midis jush dhe Egjiptasve; pastaj hodha mbi ta detin, që i mbuloi; dhe sytë tuaj panë atë që u bëra Egjiptasve. Pastaj qëndruat për një kohë të gjatë në shkretëtirë.

    
 
 

8.

 

Unë ju çova në vendin e Amorejve, që banonin matanë Jordanit; ata luftuan kundër jush dhe unë jua dhashë në dorë; ju pushtuat vendin e tyre dhe unë i shpartallova para jush.

    
 
 

9.

 

Pastaj Balaku, bir i Tsiporit, mbret i Moabit, u ngrit për të luftuar Izraelin; dhe dërgoi të thërrasë Balaamin, djalin e Beorit, që t`ju mallkonte;

    
 
 

10.

 

por unë nuk desha të dëgjoj Balaamin; prandaj ai ju bekoi me të madhe, dhe ju çlirova nga duart e Balakut.

    
 
 

11.

 

Kaluat pastaj Jordanin dhe arritët në Jeriko; banorët e Jerikos luftuan kundër jush; kështu bënë Amorejtë, Perezejtë, Kananejtë, Hitejtë, Girgasejtë, Hivejtë dhe Jebusejtë; por unë jua dorëzova në dorë.

    
 
 

12.

 

Dhe çova para jush grerëzat, që i bënë të ikin para jush, ashtu si kishte ndodhur me dy mbretërit e Amorejve; por kjo nuk ishte meritë e shpatës ose e harkut tënd.

    
 
 

13.

 

Dhe ju dhashë një tokë për të cilën nuk kishit punuar dhe qytete që nuk i kishit ndërtuar, dhe ju banuat në to; dhe tani hani frytin e vreshtave dhe të ullishteve që nuk keni mbjellë".

    
 
 

14.

 

Prandaj tani t`ia kini frikën Zotit dhe shërbejeni me ndershmëri dhe besnikëri; hiqni perënditë të cilëve u shërbyen etërit tuaj matanë lumit dhe në Egjipt, dhe vihuni në shërbim të Zotit.

    
 
 

15.

 

Dhe në rast se ju duket një gjë e keqe t`i shërbeni Zotit, zgjidhni sot kujt doni t`i shërbeni, o perënditë të cilëve u shërbyen etërit tuaj matanë lumit, o perënditë e Amorejve, në vendin e të cilëve

    
 
 

16.

 

Atëherë populli u përgjigj dhe tha: "Larg qoftë që ne të braktisim Zotin për t`u shërbyer perëndive të tjera!

    
 
 

17.

 

Sepse Zoti, Perëndia ynë, është ai që na nxori ne dhe etërit tanë nga vendi i Egjiptit, nga shtëpia e skllavërisë, që ka bërë mrekullira të mëdha para syve tanë dhe që na ka mbrojtur gjatë gjithë rrugës që bëmë dhe midis gjithë popujve në mes të të cilëve kemi kaluar;

    
 
 

18.

 

dhe Zoti ka dëbuar para nesh tërë popujt dhe Amorejtë që banonin në këtë vend; prandaj ne do t`i shërbejmë Zotit, sepse ai është Perëndia ynë".

    
 
 

19.

 

Por Jozueu i tha popullit: "Ju nuk mund t`i shërbeni Zotit, sepse ai është një Perëndi i shenjtë, një Perëndi ziliqar; ai nuk do t`i falë shkeljet dhe mëkatet tuaja.

    
 
 

20.

 

Kur ta braktisni Zotin dhe t`u shërbeni perëndive të huaja, ai do të kthehet për t`ju bërë keq dhe për t`ju konsumuar pas aq të mirave që ju ka bërë".

    
 
 

21.

 

Dhe populli i tha Jozueut: "Jo, ne do t`i shërbejmë Zotit".

    
 
 

22.

 

Atëherë Jozueu i tha popullit: "Ju jeni dëshmitarë kundër vetvetes, pse keni zgjedhur për vete Zotin për t`i shërbyer!". Ata iu përgjigjën: "Jemi dëshmitarë!".

    
 
 

23.

 

Jozueu tha: "Hiqni, pra, perënditë e huaja që janë në mes tuaj dhe përuleni zemrën tuaj Zotit, Perëndisë së Izraelit!".

    
 
 

24.

 

Populli iu përgjigj Jozueut: "Ne do t`i shërbejmë Zotit, Perëndisë tonë, dhe do t`i bindemi zërit të tij".

    
 
 

25.

 

Kështu Jozueu lidhi atë ditë një besëlidhje me popullin, dhe i dha statutet dhe dekretet në Sikem.

    
 
 

26.

 

Pastaj Jozueu shkroi këto gjëra në librin e ligjit të Perëndisë; dhe mori një gur të madh dhe e vendosi aty, poshtë lisit, pranë shenjtërores së Zotit.

    
 
 

27.

 

Jozueu i tha pastaj tërë popullit: "Ja, ky gur do të jetë një dëshmitar kundër nesh, sepse ai i dëgjoi tërë fjalët që na tha Zoti; ai, pra, do të shërbejë si dëshmitar kundër jush, me qëllim që të mos e mohoni Perëndinë tuaj".

    
 
 

28.

 

Pastaj Jozueu e ktheu popullin në vendin ku ishte më parë, secili në trashëgiminë e vet.

    
 
 

29.

 

Pas këtyre gjërave Jozueu, bir i Nunit dhe shërbëtor i Zotit, vdiq në moshën njëqind e dhjetë vjeç,

    
 
 

30.

 

dhe e varrosën në territorin e pronës së tij në Timnath-Serah, që ndodhet në krahinën malore të Efraimit, në veri të malit Gaash.

    
 
 

31.

 

Izraeli i shërbeu Zotit gjatë gjithë jetës së Jozueut dhe gjatë gjithë jetës së pleqve që jetuan pas Jozueut dhe që dinin tërë veprat që Zoti kishte bërë për Izraelin.

    
 
 

32.

 

Eshtrat e Jozefit, që bijtë e Izraelit kishin sjellë nga Egjipti, i varrosën në Sikem, në pjesën e arës që Jakobi ua kishte blerë bijve të Hamorit, atit të Sikemit, për njëqind pjesë argjendi, dhe që ishte pronë e bijve të Jozefit.

    
 
 

33.

 

Pastaj vdiq edhe Eleazari, bir i Aaronit, dhe e varrosën në malin, që ishte pronë e birit të tij Finehas dhe që ia kishin dhënë në krahinën malore të Efraimit.

    
 
 

Gjyqtarët 1

 

 

 

 

 
 
HTMLBible Software - by johnhurt.com