Bibla e Shenjtë - Albanian Bible

 

Zanafilla

 

Kapitulli 40

 

 

1.

 

Mbas këtyre gjërave, ndodhi që kupëmbajtësi dhe bukëpjekësi i mbretit të Egjiptit fyen zotërinë e tyre, mbretin e Egjiptit.

    
 
 

2.

 

Dhe Faraoni u zemërua me të dy oficerët e tij, kryekupëmbajtësin dhe kryebukëpjekësin,

    
 
 

3.

 

dhe i futi në burg, në shtëpinë e kreut të rojeve, në po atë burg ku ishte mbyllur Jozefi.

    
 
 

4.

 

Dhe kapiteni i rojeve i la nën mbikqyrjen e Jozefit, i cili i ndihmonte. Kështu ata qëndruan në burg për një farë kohe.

    
 
 

5.

 

Po atë natë, kupëmbajtësi dhe bukëpjekësi i mbretit të Egjiptit, që ishin të mbyllur në burg, panë që të dy një ëndërr, secili ëndrrën e tij, me një kuptim të veçantë.

    
 
 

6.

 

Dhe të nesërmen në mëngjes Jozefi erdhi tek ata dhe vuri re se ishin të shqetësuar.

    
 
 

7.

 

Atëherë ai pyeti oficerët e Faraonit, që ishin me të në burg, në shtëpinë e zotërisë së tij dhe u tha: "Pse keni sot një fytyrë kaq të trishtuar?".

    
 
 

8.

 

Ata iu përgjegjën: "Kemi parë një ëndërr dhe askush nuk është në gjëndje ta interpretojë". Atëherë Jozefi u tha atyre: "Interpretimet nuk i përkasin vallë Perëndisë? Më tregoni ëndrrat, ju lutem".

    
 
 

9.

 

Kështu kryekupëmbajtësi i tregoi Jozefit ëndrrën e tij dhe i tha: "Në ëndrrën time kisha përpara një hardhi;

    
 
 

10.

 

dhe në atë hardhi kishte tri degë, të cilat sa vunë lastarë, lulëzuan dhe dhanë vile rrushi të pjekur.

    
 
 

11.

 

Tani unë kisha në dorë kupën e Faraonit; mora rrushin, e shtrydha në kupën e Faraonit dhe e vura kupën në dorë të Faraonit".

    
 
 

12.

 

Jozefi i tha: "Ky është interpretimi i ëndrrës: tri degët janë tri ditë;

    
 
 

13.

 

në krye të tri ditëve Faraoni do të të bëjë të ngresh përsëri kokën lart, do të të rivendosë në detyrën tënde dhe ti do t`i japësh në dorë kupën Faraonit, siç bëje më parë, kur ishe kupëmbajtësi i tij.

    
 
 

14.

 

Por më kujto mua kur të jesh i lumtur; të lutem, trego dashamirësi ndaj meje, duke i folur për mua Faraonit, dhe më nxirr nga kjo shtëpi;

    
 
 

15.

 

sepse mua më sollën fshehurazi nga vendi i hebrejve, dhe këtu s`kam bërë gjë për t`u futur në këtë burg të nëndheshëm".

    
 
 

16.

 

kryebukëpjekësi, duke parë se interpretimi ishte i favorshëm, i tha Jozefit: "Edhe unë në ëndrrën time kisha tri shporta me bukë të bardhë mbi krye;

    
 
 

17.

 

dhe në shportën më të lartë kishte çdo lloj gjellësh të pjekura në furrë për Faraonin; dhe zogjtë i hanin nga shporta që kisha mbi krye".

    
 
 

18.

 

Atëherë Jozefi u përgjegj dhe tha: "Ky është interpretimi i ëndrrës: tri shportat janë tri ditë;

    
 
 

19.

 

në krye të tri ditëve Faraoni do të të heqë kokën nga shpatullat, do të varë në një pemë, dhe zogjtë do të hanë mishrat e trupit tënd".

    
 
 

20.

 

Tani ditën e tretë, ditën e përvjetorit të Faraonit, ndodhi që ai shtroi një banket për të gjithë shërbëtorët e tij; dhe bëri që të ngrinin kokën lartë si kryekupëmbajtësi dhe kryebukëpjekësi, në mes të shërbëtorëve të tij.

    
 
 

21.

 

Kështu e rivendosi kryekupëmbajtësin në detyrën e tij si kupëmbajtës që t`i jepte kupën në dorë Faraonit,

    
 
 

22.

 

por bëri që ta varnin kryebukëpjekësin simbas interpretimit që Jozefi u kishte dhënë.

    
 
 

23.

 

Por kryekupëmbajtësi nuk u kujtua për Jozefin, por e harroi.

    
 
 

Zanafilla 41

 

 

 

 

 
 
HTMLBible Software - by johnhurt.com