Bibla e Shenjtë - Albanian Bible

 

Zanafilla

 

Kapitulli 25

 

 

1.

 

Pastaj Abrahami mori një grua tjetër, që quhej Keturah.

    
 
 

2.

 

Dhe kjo i lindi Zimranin, Jokshanin, Medanin, Madianin, Ishbakun dhe Shuahin.

    
 
 

3.

 

Jokshanit i lindi Sheba dhe Dedani. Bijtë e Dedanit ishin Asshurimi, Letushimi dhe Leumimi.

    
 
 

4.

 

Bijtë e Madianit ishin Efahu, Eferi, Hanoku, Abidahu dhe Eldaahu. Tërë këta ishin bijtë e Keturahut.

    
 
 

5.

 

Dhe Abrahami i dha Isakut gjithçka zotëronte;

    
 
 

6.

 

por bijve që Abrahami kishte pasur nga konkubinat u dha disa dhurata dhe, sa ishte ende gjallë, i dërgoi larg birit të tij Isakut, drejt lindjes, në një vend të lindjes.

    
 
 

7.

 

Këto janë vitet e jetës së Abrahamit: ai jetoi gjithsej njëqind e shtatëdhjetë e pesë vjet.

    
 
 

8.

 

Pastaj Abrahami dha frymën e fundit dhe vdiq në pleqëri të mbarë, i shtyrë në moshë dhe i ngopur me ditë, dhe u bashkua me popullin e tij.

    
 
 

9.

 

Dhe bijtë e tij Isaku dhe Ismaeli e varrosën në shpellën e Makpelahut në arën e Efronit, biri i Zoarit, Hiteut, që ndodhet përballë Mamres,

    
 
 

10.

 

arë që Abrahami u kishte blerë bijve të Hethit. Aty u varrosën Abrahami dhe e shoqja Sara.

    
 
 

11.

 

Mbas vdekjes së Abrahamit, Perëndia bekoi birin e tij Isakun; dhe Isaku qëndroi pranë pusit të Lahai-Roit.

    
 
 

12.

 

Tani këta janë pasardhësit e Ismaelit, bir i Abrahamit, që egjiptasja Agar, shërbëtorja e Sarës, i kishte lindur Abrahamit.

    
 
 

13.

 

Këta janë emrat e bijve të Ismaelit, simbas emrit të brezave të tyre: Nebajothi, i parëlinduri i Ismaelit; pastaj Kedari, Abdeeli, Mibsami,

    
 
 

14.

 

Mishma, Dumahu, Masa,

    
 
 

15.

 

Hadari, Tema, Jeturi, Nafishi dhe Kedemahu.

    
 
 

16.

 

Këta janë bijtë e Ismaelit dhe emrat e tyre, simbas fshatrave dhe fushimeve të tyre. Ata qenë dymbëdhjetë princërit e kombeve të tyre përkatës.

    
 
 

17.

 

Por këto janë vitet e jetës së Ismaelit, gjithsej njëqind e tridhjetë e shtatë vjet; pastaj ai dha frymë dhe vdiq, dhe u bashkua me popullin e tij.

    
 
 

18.

 

(Dhe bijtë e tij banuan nga Havilahu deri në Shur, që është në lindje të Egjiptit, në drejtim të Asirisë). Ai u vendos në prani të të gjithë vëllezërve të tij.

    
 
 

19.

 

Këta janë pasardhësit e Isakut, birit të Abrahamit.

    
 
 

20.

 

Abrahamit i lindi Isaku; dhe Isaku ishte dyzet vjeç kur mori për grua Rebekën, e bija e Bethuelit, Arameu i Paddan-Aranit dhe motra e Labanos, Arameut.

    
 
 

21.

 

Isaku e luti Zotin për gruan e tij sepse ajo ishte shterpë. Zoti ia plotësoi dëshirën dhe Rebeka, gruaja e tij, u ngjiz.

    
 
 

22.

 

Por fëmijët shtynin njeri-tjetrin në barkun e saj dhe ajo tha: "Në qoftë se është kështu (që iu përgjigj Zoti), pse gjendem unë në këto kushte?". Dhe kështu vajti të konsultohet me Zotin.

    
 
 

23.

 

Dhe Zoti i tha: "Dy kombe ndodhen në barkun tënd dhe dy popuj kanë për të dalë nga përbrendëshmet e barkut tënd. Njeri nga këta dy popuj do të jetë më i fortë se tjetri, dhe më i madhi do t`i shërbejë më të voglit".

    
 
 

24.

 

Kur erdhi koha për të që të lindte, ajo kishte në bark dy binjakë.

    
 
 

25.

 

Dhe i pari që doli jashtë ishte i kuq; ai ishte krejt si një mantel leshtor, prandaj i vunë emrin Esau.

    
 
 

26.

 

Pastaj doli vëllai i tij, i cili me dorë mbante thembrën e këmbës të Esaut; prandaj e quajtën Jakob. Por Isaku ishte shtatëdhjetë vjeç kur Rebeka i lindi.

    
 
 

27.

 

Dy fëmijët u rritën dhe Esau u bë një gjahtar i sprovuar, një njeri fshatarak, ndërsa Jakobi ishte një njeri i qetë, që jetonte në çadra.

    
 
 

28.

 

Por Isaku e donte Esaun, sepse mishin e gjahut e pëlqente; Rebeka nga ana e saj donte Jakobin.

    
 
 

29.

 

Një herë që Jakobi gatoi për vete një supë, Esau erdhi nga fusha krejt i lodhur.

    
 
 

30.

 

Dhe Esau i tha Jakobit: "Të lutem, më lërë të ha pak nga kjo supë e kuqe, sepse jam i lodhur". Për këtë arësye e quajtën Edom.

    
 
 

31.

 

Por Jakobi iu përgjegj: "Më shit më parë parëbirninë tënde".

    
 
 

32.

 

Esau tha: "Ja unë jam duke vdekur, ç`dobi kam nga parëbirnia?".

    
 
 

33.

 

Atëherë Jakobi tha: "Më parë betomu". Dhe Esau iu betua dhe i shiti Jakobit parëbirninë e tij.

    
 
 

34.

 

Pastaj Jakobi i dha Esaut bukë dhe supë me thjerrëza. Dhe ai hëngri dhe piu, pastaj u ngrit dhe iku. Kështu Esau shpërfilli parëbirninë e tij.

    
 
 

Zanafilla 26

 

 

 

 

 
 
HTMLBible Software - by johnhurt.com