Bibla e Shenjtë - Albanian Bible

 

Zanafilla

 

Kapitulli 1

 

 

1.

 

Në fillim Perëndia krijoi qiejt dhe tokën.

    
 
 

2.

 

Toka ishte pa trajtë, e zbrazët dhe errësira mbulonte sipërfaqen e humnerës; dhe Fryma e Perëndisë fluturonte mbi sipërfaqen e ujërave.

    
 
 

3.

 

Pastaj Perëndia tha: "U bëftë drita!". Dhe drita u bë.

    
 
 

4.

 

Dhe Perëndia pa që drita ishte e mirë; dhe Perëndia e ndau dritën nga errësira.

    
 
 

5.

 

Dhe Perëndia e quajti dritën "ditë" dhe errësirën "natë". Kështu erdhi mbrëmja e pastaj erdhi mëngjesi: dita e parë.

    
 
 

6.

 

Pastaj Perëndia tha: "Le të jetë një kupë qiellore mes ujërave, që t`i ndajë ujërat nga ujërat".

    
 
 

7.

 

Dhe Perëndia krijoi kupën qiellore dhe ndau ujërat që ishin poshtë saj nga ujërat që ishin sipër saj. Dhe kështu u bë.

    
 
 

8.

 

Dhe Perëndia e quajti kupën qiellore "qiell". Kështu erdhi mbrëmja, pastaj erdhi mëngjesi: dita e dytë.

    
 
 

9.

 

Pastaj Perëndia tha: "Ujërat që janë nën qiellin të grumbullohen në një vend të vetëm dhe të shfaqet tera". Dhe kështu u bë.

    
 
 

10.

 

Dhe Perëndia e quajti terën "tokë" dhe grumbullimin e ujërave "detë". Dhe Perëndia pa që kjo ishte mirë.

    
 
 

11.

 

Pastaj Perëndia tha: "Të mbijë toka gjelbërimin, barërat të nxjerrin farë dhe drurët frutore të japin në tokë një frut që të përmbajë farën e tij, secili simbas llojit të tij". Dhe kështu u bë.

    
 
 

12.

 

Dhe toka prodhoi gjelbërim, barëra që e bënin farën simbas llojit të tyre dhe drurë që mbanin fruta me farën e tyre brenda, secili simbas llojit të vet. Dhe Perëndia e pa se kjo ishte mirë.

    
 
 

13.

 

Kështu erdhi mbrëmja, pastaj erdhi mëngjesi; dita e tretë.

    
 
 

14.

 

Pastaj Perëndia tha: "Të ketë ndriçues në kupën qiellore për të ndarë ditën nga nata; dhe të shërbejnë si shenja, për të dalluar stinët, ditët dhe vitet;

    
 
 

15.

 

dhe të shërbejnë si ndriçues në kupën qiellore për të ndriçuar tokën". Dhe kështu u bë.

    
 
 

16.

 

Perëndia krijoi pastaj dy ndriçues të mëdhenj: ndriçuesin e madhë për qeverisjen e ditës dhe ndriçuesin e vogël për qeverisjen e natës; ai krijoi gjithashtu yjet.

    
 
 

17.

 

Dhe Perëndia i vendosi në kupën qiellore për të ndriçuar tokën,

    
 
 

18.

 

për të qeverisur ditën dhe natën dhe për ta ndarë dritën nga errësira. Dhe Perëndia e pa që kjo ishte mirë.

    
 
 

19.

 

Kështu erdhi mbrëmja dhe erdhi mëngjesi: dita e katërt.

    
 
 

20.

 

Pastaj Perëndia tha: "Të mbushen ujërat nga një numër i madh qeniesh të gjalla dhe të fluturojnë zogjtë lart mbi tokë nëpër hapësirën e madhe të kupës qiellore".

    
 
 

21.

 

Kështu Perëndia krijoi kafshët e mëdha ujore dhe të gjitha gjallesat që lëvizin dhe që mbushin ujërat, secili simbas llojit të vet, e çdo shpend fluturues simbas llojit të vet. Dhe Perëndia e pa se kjo ishte mirë.

    
 
 

22.

 

Dhe Perëndia i bekoi duke thënë: "Të jeni të frytshëm, shumëzoni dhe mbushni ujërat e deteve, e zogjtë të shumëzohen mbi tokë".

    
 
 

23.

 

Kështu erdhi mbrëmja dhe pastaj mëngjesi: dita e pestë.

    
 
 

24.

 

Pastaj Perëndia tha: "Të prodhojë toka qenie të gjalla sipas llojit të tyre: kafshë, rrëshqanorë dhe bisha të tokës, simbas llojit të tyre". Dhe kështu u bë.

    
 
 

25.

 

Dhe Perëndia bëri egërsirat e tokës sipas llojit të tyre, kafshët simbas llojit të tyre dhe të gjithë rrëshqanorët e tokës simbas llojit të tyre. Dhe Perëndia e pa që kjo ishte mirë.

    
 
 

26.

 

Pastaj Perëndia tha: "Ta bëjmë njeriun sipas shëmbëlltyrës sonë dhe në ngjasim me ne, dhe të ushtrojë sundimin e tij mbi peshqit e detit, mbi zogjtë e qiellit, mbi kafshët e mbi gjithë tokën, mbi rrëshqanorët që zvarriten mbi dhe".

    
 
 

27.

 

Kështu Perëndia krijoi njeriun simbas shëmbëlltyrës së vet, simbas shëmbëlltyrës së Perëndisë; Ai krijoi mashkullin e femrën.

    
 
 

28.

 

Dhe Perëndia i bekoi; dhe Perëndia u tha atyre: "Të jeni të frytshëm dhe shumëzohuni, mbushni tokën e nënshtrojeni, e sundoni mbi peshqit e detit, mbi zogjtë e qiellit dhe mbi çdo qenie që lëviz mbi tokë".

    
 
 

29.

 

Dhe Perëndia tha: "Ja unë po ju jap çdo bar që lëshon farë mbi sipërfaqen e mbarë tokës dhe çdo pemë të ketë fruta që përmbajnë farë; kjo do t`ju shërbejë si ushqim.

    
 
 

30.

 

Dhe çdo kafshe të tokës, çdo zogu të qiellit dhe çdo gjëje që lëviz mbi tokë dhe ka në vetvete një frymë jete, unë i jap çdo bar të gjelbër si ushqim". Dhe kështu u bë.

    
 
 

31.

 

Atëherë Perëndia shikoi të gjitha ato që kishte bërë, dhe ja, ishte shumë mirë. Kështu erdhi mbrëmja dhe pastaj erdhi mëngjesi: dita e gjashtë.

    
 
 

Zanafilla 2

 

 

 

 

 
 
HTMLBible Software - by johnhurt.com